Ndërlidhjet

Inteligjenca amerikane: Shteti Islamik mbetet një rrezik në Irak dhe Siri


Drejtori i Intelegjencës Kombëtare në SHBA, Dan Coats
Drejtori i Intelegjencës Kombëtare në SHBA, Dan Coats

Raporti i inteligjencës amerikane që përfshinë rreziqet që i kanosen vendit dhe përpilohet nga agjencitë e ndryshme të inteligjencës, parashikon se kërcënimet për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, këtë vit, do të jenë të zgjeruara dhe të shumëanshme, kryesisht të dominuara nga Kina dhe Rusia.

Raporti thotë se Moska dhe Pekini janë të përafërta dhe ndikimi i tyre global po rritet.

Dokumenti gjithashtu thotë se grupi Shteti Islamik “mbetet si kërcënim terrorist” brenda Irakut, ku Qeveria ballafaqohet me“një opinion gjithnjë më të zhgënjyer”.

"Në Siri, ku presidenti Trump ka urdhëruar tërheqjen e forcave amerikane, Qeveria e Bashar Al Asadit, mesiguri do të konsolidojë kontrollin. Në anën tjetër Rusia dhe Irani po përpiqen të rrisin ndikimin brenda këtij vendi", thuhet në raport.

Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel, tha se Shteti Islamik “është ende i rrezikshëm” duke shtuar se ata edhe më tutje kanë “mijëra luftëtarë në Irak dhe Siri”.

Agjencitë e zbulimit të SHBA-ve i thanë Kongresit se ka pak gjasa që Korea Veriore të shkatërrojë tërësisht arsenalin bërthamor. Ky vlerësim hedh dyshime në qëllimet e presidentit, Donald Trump, për një Kore të Veriut të çarmatosur.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare në SHBA, Dan Coats në dëshminë para Komitetit për Inteligjencë të Senatit amerikan, vuri në dukje se udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, nuk ka testuar kohët e fundit raketa të afta për pajisje bërthamore ose të ketë kryer ndonjë test bërthamor, transmeton Associated Press.

“Duke thënë këtë ne aktualisht vlerësojmë se Koreja Veriore do të kërkojë të mbajë aftësitë e saja të armëve të shkatërrimit në masë dhe nuk ka gjasa të heqë dorë tërësisht nga armët e saja bërthamore dhe aftësitë prodhuese, sepse udhëheqësit e saj në fund të fundit i konsiderojnë ato si kritike për mbijetesën e regjimit” tha Coats në fjalën hyrëse.

Ky dyshim për Korenë Veriore ka ekzistuar vazhdimisht për agjencitë e intelegjencës dhe është në kundërshtim me pohimin e presidentit Trump, pas samitit me Kin Jong Un më 2018 në Singapur se Korea Veriore nuk paraqet më kërcënim bërthamor.

Planet për një samit të dytë janë në proces e sipër mirëpo ende nuk është caktuar agjenda dhe as vendi i takimit të presidentit Trump me Kim Jong Un.

Në ndërkohë agjencitë e intelegjencës po monitorojnë “veprimtaritë që nuk janë në përputhje me denuklearizimin e plotë”, ka thënë Coats.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG