Ndërlidhjet

Haradinaj: Nëse mbahen zgjedhjet taksa mbetet deri në verë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk janë plotësuar kushtet apo kriteret që ai i ka kërkuar në letrën dërguar qeverive të vendeve më të fuqishme botërore për pezullimin apo shfuqizimin e taksës.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, gjatë një konference për media, Haradinaj tha se vendosja e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është bërë në kuadër të Kushtetutës se Republikës se Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

Ai nuk është ndalur shumë as te propozimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që taksa të pezullohet për 120 ditë, në mënyrë që t’i jepet shans vazhdimit të dialogut me Serbinë, në kuadër të procesit që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

I pyetur nga gazetarët nëse qëndrimi i tij dhe i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli do të çojnë në rënien e qeverisë dhe do të dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, Haradinaj tha se edhe në atë rast, taksa do të mbetej në fuqi.

“Sa i përket prishjes së koalicionit dhe shkuarjes në zgjedhje potenciale, atëherë tarifa doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja do të mbetet deri në muajin qershor. Pasi nëse shpallen zgjedhjet nevojitën 45 ditë deri në mbajtjen e tyre, pastaj janë edhe 30 ditë deri të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pastaj krijimi i Qeverisë. Kështu që në verë mund të hyjmë me taksë, pra në qershor”, tha Haradinaj.

Institucionet e Kosovës po përballen ditëve të fundit me kërkesat e shtuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të pezullojnë tarifën doganore, në mënyrë që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të raporteve reciproke.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG