Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj 5 të dyshuarve për posedim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve dhe nxitje të urrejtjes fetare.
Ata fillimisht ishin nën dyshimin se kanë planifikuar të kryejnë akte terroriste, por janë liruar nga veprat për pjesëmarrje në grupe terroriste.
Të akuzuarit Ardian Mehmeti, i është shqiptuar dënimi prej 7 vjet burgim dhe 2800 euro gjobë. Nuredin Sylejmani, është dënuar me 6 vjet burgim dhe 1800 euro gjobë. Valon Shala, me 5 vjet burgim dhe 1800 euro gjobë. Genc Selimi me 4 vjet 6 muaj burgim dhe Musli Hyseni me 1 vit dhe 600 euro gjobë.
Ata ishin arrestuar në vitin 2013 në Prishtinë dhe Gjilan. I dyshuari i gjashtë Bekim Mulolli dyshohet se është vrarë në Siri.
Aktakuza ishte ngritur nga një prokuror i EULEX-it, mirëpo më pas rasti i është kaluar prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu.
Sipas prokurorisë disa nga të dyshuarit po ashtu kishin planifikuar sulme në Kosovë si shenjë hakmarrje për arrestimin e një imami shqiptar në Maqedoni.
Në aktakuzë thuhet se Ardian Mehmeti kishte shkuar në Siri, përkatësisht në Aleppo, nga janari i 2013-ës e deri në mars të po këtij viti. Ai ngarkohet nga prokuroria me akuzën për pjesëmarrje në grup terrorist dhe kryerjen e veprave terroriste brenda territorit të Sirisë.
Gjithashtu Mehmeti akuzohet për posedim të armëve pasi në shtëpinë e tij i janë gjetur armë të ndryshme gjithashtu edhe mjete të cilat dyshohen se do të përdoreshin për ndërtimin e një mjeti shpërthyes. Në aktakuzë Mehmeti ngarkohet edhe me veprën penale organizim dhe veprim të grupit terrorist pasi dyshohet se në disa raste ai ka urdhëruar dhe udhëzuar anëtarët e këtij grupi.
Të akuzuarit Bekim Mulolli dhe Nuredin Sylejmani në aktakuzë thuhet se kanë sulmuar dy misionare të krishtera kështu duke kryer veprat penale të nxitjes së urrejtjes nacionale, racore, fetare ose etnike, përçarjes ose mosdurimit si dhe veprën penale të sulmit të rëndë.
Ndërsa, pas arrestimit të Bekim Mulollit dhe Nuredin Sylejmanit, grupi në fjalë ka bërë kërcënime duke dërguar e-mail në Policinë e Kosovës duke i kërcënuar me sulme, nëse nuk lirohen Sylejmani dhe Mulolli nga paraburgimi. Më pas, gjykata i caktoi arrest shtëpiak të akuzuarit Bekim Mulollit i cili thuhet se shfrytëzoi rastin dhe shkoi në Siri, ku edhe dyshohet se ka vdekur.
Për të akuzuarin Musli Hyseni në aktakuzë shkruan se ngarkohet me veprat penale si armë mbajtje pa leje pasi në shtëpinë e tij i janë gjetur armë të kalibrit të ndryshëm si dhe për moslajmërim të përgatitjes së veprave penale, pasi sipas prokurorisë dyshohet se Hyseni ishte në dijeni të përgatitjeve të sulmeve nga grupi.