Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën në një konferencë për media se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte ligjërisht e obligueshme në rrafshin ndërkombëtar.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike.
Ai tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë që janë në procesin e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, por, siç u shpreh, beson në fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
“Mbetet që në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar, që garanton pranimin e Kosovës në OKB, njohje nga Serbia dhe me këtë nënkuptohet edhe njohja globale për shtetin e Kosovës, që do të thotë konsolidim i plotë i shtetit tonë”, tha Thaçi.
“Kjo nënkupton po ashtu që nuk do të ketë kurrë më luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të ketë kufij sipas standardeve evropiane", theksoi ai.
Thaçi përsëriti se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës.
"Edhe Gazivoda (Ujmani), edhe veriu i Mitrovicës dhe Trepça do të jenë pjesë të Republikës së Kosovës dhe përfundimisht duhet të ndalen dhe dua t'i hedh poshtë të gjitha thashethemet", tha Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se ka zhvilluar një takim me dy kryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Atyre, Thaçi tha se ua ka dorëzuar dokumentacionin lidhur me procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, kërkon nga të dyja palët që në fund të procesit të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, veç tjerash, do t’iu hapte perspektivën evropiane të dyja shteteve.