Protestuesit janë përleshur me policinë jashtë ndërtesës së Parlamentit të Greqisë, gjatë protestave ku morën pjesë dhjetëra mijëra persona, të cilët po kundërshtojnë Marrëveshjen e emrit me Maqedoninë.
Dhjetëra protestues hodhën gurë dhe objekte të tjera ndaj policisë, teksa tentuan që të hyjnë në objektin e Parlamentit në Athinë.
Policia u kundërpërgjigj duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.
Nëntë policë janë lënduar si pasojë e dhunës, njoftuan autoritetet greke.
Qeveritë në Athinë dhe Shkup arritën marrëveshjen për ndryshimin e emrit të shtetit të Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në këmbim të kësaj, Greqia është zotuar se do të tërhiqet nga kundërshtimet e saj që Maqedonia t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Ligjvënësit grekë pritet të nisin debatin më 21 janar dhe votimi për ratifikimin e marrëveshjes pritet të ndodhë në fund të javës.
Më herët gjatë këtij muaji, Parlamenti i Maqedonisë miratoi ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë ndryshimin e emrit të shtetit.
Marrëveshja për emrin po kundërshtohet në të dyja shtetet. Athina argumenton se përdorimi i terminit “Maqedoni” nënkupton pretendime territoriale mbi provincën veriore greke, që ka të njëjtin emër dhe mbi trashëgimin e lashtë greke.