Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se është optimist se Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, e njohur si Marrëveshja e Prespës, do të kalojë pa problem edhe në Parlamentin grek.
“Ajo që shikoj është përkushtimi te kryeministri grek (Alexis Tsipras) për ta zbatuar Marrëveshjen në Parlamentin grek. Edhe unë i besoj përkushtimit dhe vendosmërisë së tij dhe mendoj se duhet të mbetemi optimistë dhe të fokusohemi në zhvillim pozitiv”, thotë Zhbogar.
Ai njëherësh thekson se Marrëveshja e Prespës paraqet një arritje të vërtetë për Maqedoninë si shtet, sa i përket zhbllokimit të proceseve integruese. Megjithatë, sipas ambasadorit Zhbogar, është me rëndësi që të gjitha institucionet e shtetit të punojnë me përkushtim në realizimin e reformave, nga çka varet edhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
*Video: Votimi në Kuvendin e Maqedonisë për Marrëveshjen për emrin
Zhbogar nënvizon se nëse Qeveria e Maqedonisë do të angazhohet me të njëjtin kapacitet për zbatimin e reformave, ashtu siç u angazhua për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, atëherë nuk duhet të shqetësohet se çka do të ndodhë në muajin qershor në Komisionin Evropian, kur do të vendoset për rekomandimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
“Mendoj që është bërë mjaft në gjyqësi, reformat vazhdojnë, shumë ligje u ndërruan, shumë rekomandime nga Komisioni i Venedikut dhe nga Komisioni Evropian ishin integruar në ligje. Kështu që, në këtë drejtim mendoj që kishte përparim dhe duhet të jemi të kënaqur me atë. Ajo të cilën tha zotëri (Rainhard) Pribe është se ka nevojë që të ndryshojë sjellja, mentaliteti, e kjo kuptohet është më e vështirë nga ndryshimi i ligjeve. Duhet kohë, por më së pari duhet përkushtim i vërtetë nga politikanët dhe gjyqësia”.
“Ende do të duhet t’i shohim ndryshimet e vërteta në gjyqësi. E ndryshimet e vërteta do të kishin treguar se gjyqësia tërësisht është e pavarur, se është rezistente ndaj ndikimeve të politikës, se është imune ndaj auto-censurës, se është profesionale, efikase, e sinqertë, se është me besim te qytetarët, e kjo ende do të duhet të arrihet. Fjala është për proces, mirëpo me përkushtim dhe me vendosmëri të vërtetë nga ana e politikanëve, dhe para së gjithash nga vetë gjyqësia, mendoj se kjo është e arritshme”, vlerëson ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Ndërkohë, në pyetjen se si sheh kërkesën e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme, Zhbogar thotë se për këtë duhet të vendosin partitë politike, por duke përllogaritur edhe rëndësinë e realizmit të reformave që mund të ngadalësohen për shkak të zgjedhjeve eventuale.
“Vendimi për zgjedhje parlamentare është vendim sovran i shtetit, i partive, i deputetëve në Parlament. Ata janë që duhet të vendosin dhe ne nuk duhet të ndikojmë te kjo. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ka reforma të caktuara që duhet të zbatohen në muajt në vazhdim dhe kjo duhet të llogaritet mirë. A do të ketë kohë të mjaftueshme për të dy proceset, ose si do të ndikojnë njëri te tjetri të dy proceset".
"Siç thamë edhe më parë, me shumë rëndësi është që deri në qershor para vendeve anëtare (të BE-së) të demonstrohet se në vend ka ndryshim në lidhje me reformat, mirëpo çështjen e zgjedhjeve të parakohshme ua lëmë partive politike dhe deputetëve, ata të vendosin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Samuel Zhbogar.