Ndërlidhjet

HRW për Kosovën: Përparim i ngadalshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut 


Ilustrim
Ilustrim

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch vlerëson se përparimi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, ka qenë i ngadalshëm.

Në raportin e publikuar të enjten, organizata kujton se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, në muajin gusht, kanë bërë publik një “plan kontrovers” për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve si mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre. Por, plani, sipas raportit, ka ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut, në rast të transferimit të popullatës.

Në pjesën e përgjegjësisë për krimet e luftës, raporti thotë se funksionimi i Gjykatës Speciale, që do t’i trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë, nga ana e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shtyrë, për shkak të ndërrimit të prokurorit special.

Organizata Human Rights Watch përmend ngritjen e akuzave për krime lufte kundër një ish-oficeri të policisë serbe për pjesëmarrjen e tij të dyshuar në vrasjen e dy civilëve shqiptarë në vitin 1998.

“Në mes të qershorit, Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit (EULEX) ndërpreu funksionet e tij ekzekutive në gjyqësorin e Kosovës. Deri në atë kohë, panelet e përziera të EULEX-it dhe gjyqtarëve vendorë kanë dhënë katër vendime të lidhura me krimet e luftës”, thekson Human Rights Watch.

Organizata thekson se tensionet ndëretnike në Kosovë kanë vazhduar edhe në vitin 2018, sidomos në pjesën veriore.

Në raport kujtohet rasti i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, jashtë zyrës së tij në Mitrovicë, si dhe sulmi me gurë ndaj dy autobusëve që bartnin pelegrinë nga Serbia drejt një manastiri ortodoks në veriperëndim të Kosovës.

Human Rights Watch thotë se romët, ashkalinjitë dhe egjiptianët kanë vazhduar të përballen me probleme në marrjen e dokumenteve personale, çfarë i ka ndikuar mundësitë e tyre për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale dhe shkollim.

“Nuk ka pasur progres të dukshëm apo të raportuar drejt integrimit të këtyre komuniteteve pakicë”, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit, dhuna në familje mbetet e përhapur në Kosovë, ndërsa reagimi i policisë është i dobët.

Te pjesa për personat e zhvendosur, raporti thotë se gjatë 10 muajve të parë të vitit të kaluar, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka regjistruar 232 kthime vullnetare të pjesëtarëve të pakicave etnike në Kosovë. Shifra është më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit 2017, kur janë regjistruar 343 të kthyer.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka regjistruar 628 kthime të detyruara në Kosovë midis janarit dhe shtatorit”, thuhet në raport.

Gjuha e urrejtjes online kundër aktivistëve të të drejtave të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve ka vazhduar, sidomos rreth kohës së Paradës së Krenarisë, thuhet po ashtu në raport.

Sipas të njëjtit, kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve kanë vazhduar edhe në vitin 2018, ndërsa hetimet dhe përndjekjet kanë qenë të ngadalshme.

Human Rights Watch citon Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të ketë thënë se në periudhën janar-shtator ka regjistruar 13 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve. Policia, në kohën e hartimit të raportit, ka qenë duke i hetuar ato.

Raporti, mes tjerash, përmend edhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në muajin mars, duke thënë se ata kanë pasur vendbanim të ligjshëm në Kosovë dhe se janë dëbuar pa ndonjë proces paraprak dhe duke shkelur masat kundër dëbimit të dhunshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG