Në Mitrovicën Veriore është shënuar përvjetori i parë i vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Familjarët, bashkëpunëtorë të afërt dhe qytetarë në Mitrovicën Veriore, kanë vënë kurora dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku është vrarë Ivanoviq.
I pranishëm ka qenë edhe ministri i Tregtisë i Qeverisë së Serbisë, Rasim Ljajiq.
Të pranishmëve u është drejtuar vetëm bashkëpunëtorja e ngushtë partiake, Ksenija Bozhoviq, e cila ka theksuar që përveç fjalimeve politike dhe polemikave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin dhe mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, vrasësi mbetet ende i panjohur.
“Fatkeqësisht, të gjithë jemi memecë. Kjo torturë dhe heshtje që po mbretëron pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, siç e shihni, është e pranishme edhe sot në këto hapësira. Nuk ekziston më zëri i arsyes dhe nuk ka kush që të na trimërojë”, ka theksuar Bozhoviq.
Ajo ka falënderuar ministrin serb Ljajiq, i cili që nga vrasja e Ivanoviqit, u ka qëndruar afër, por edhe përfaqësuesit e tjerë të serbëve të Kosovës.
Nga Lista Serbe nuk ka qenë askush i pranishëm në shënimin e përvjetorit të vrasjes së Ivanoviqit.
Bozhoviq ka shprehur zhgënjimin ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë për shkak se, siç ka thënë ajo, ata kanë premtuar se do të jenë të pranishëm në shënimin e këtij përvjetori, por që vetëm një ditë më herët, kanë lajmëruar se nuk do të jenë të pranishëm.
“Ne kemi dëshiruar që ata të jenë sot këtu, vetëm për një arsye, që të dërgojmë porosi të qartë nga ky vend, që institucionet e Kosovës që janë përgjegjëse të gjejnë vrasësin e Ivanoviqit, kanë rënë nga provimi që nga dita e parë”, është shprehur Bozhoviq.
Oliver Ivanoviq, lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, është vrarë me 16 janar të vitit 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.
Policia e Kosovës, me 23 nëntor të vitit 2018, gjatë një aksioni në Mitrovicën Veriore, ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se janë të ndërlidhur me vrasjen e Ivanoviqit. Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, nuk është gjetur në banesën e tij, gjatë aksionit të policisë dhe ai ende po ndiqet nga policia.