Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku të mërkurën do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Në Hagë është intervistuar për dy ditë rresht ish-komandanti tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa. Mustafa është marrë në pyetje për gati 16 orë.
Në një deklaratë për media ai ka thënë se është ftuar në Gjykatë si "dëshmitar i dyshuar".
Lushtaku dhe Mustafa kanë qenë figura të rëndësishme të zonave operative në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur, ndërsa pas luftës kanë mbetur aktivë në skenën politike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në mesin e të ftuarve për intervistim nga Prokuroria Speciale janë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.
Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.