Ndërlidhjet

S’ka marrëveshje, vazhdon greva në arsim


Greva në shkollat e Kosovës
Greva në shkollat e Kosovës

Greva në institucionet e arsimit në Kosovë po vazhdon. Si pasojë e grevës, procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.

Sipas kalendarit, mësimi ishte dashur të fillonte më 14 janar. Kjo grevë është organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Kërkesa kryesore e grevistëve ndërlidhet me rritjen e pagave.

Kjo rritje po kërkohet të realizohet përmes koeficientit të pagave, që pritet të rregullohet me Ligjin për pagat i cili aktualisht, në formën e projektligjit, është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Por, ekspertët e arsimit dhe prindërit e nxënësve, nuk po pajtohen me grevën, si formë për realizimin e kësaj kërkese.

Nëna e një nxënësi të klasës së katërt, Mimoza Gashi Jonuzi, thotë se fëmijët nuk mund të përdoren, siç thotë ajo, si armë për arritjen e kërkesave të mësimdhënësve.

“Unë mendoj që nuk është dashur kjo grevë. Fëmijët duhet ta vijojnë mësimin e rregullt. Ka metoda tjera për këtë qëllim, pra rritje pagash. Gjithashtu, mendoj se duhet plotësuar kushte tjera, si cilësia e mësimdhënies si dhe të rritet rezultati i suksesit tek nxënësit”, tha Jonuzi.

Në anën tjetër, eksperti i Arsimit, Halim Hyseni, tha për Radion Evropa e Lirë se greva nuk do duhej të ndodhte. Ndonëse potencon faktin se kërkesat e mësimdhënësve janë me vend, greva si formë, thekson ai, ka pasoja të mëdha.

“Është një vendim jo i menduar mirë me pasoja të pariparueshme për cilësinë e edukimit dhe arsimimit. Nëse kjo vazhdon, siç thonë sindikalistët, ky vit shkollor duhet shpallet joekzistues. Duhet të gjithë nxënësit të përsërisin klasën dhe do të kemi kolaps për vitin e ardhshëm shkollor”.

“Por edhe nëse kjo zgjatë dy javë apo tre javë, kjo ka efekt tjetër psikologjik negativ tek nxënësit, mobilizimi i nxënësve dhe arsimtarëve është i vështirë dhe i pariparueshëm, dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë gjendje”, tha Hyseni.

Ai thotë se kërkesat e arsimtarëve janë të drejta, por sipas tij, “nuk duhet kërkuar atë çka nuk mund të realizohet”.

“Mendoj se për këtë situatë, për mua tragjike, dikush duhet të jap përgjegjësi”, tha Halimi.

Por, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës thotë se përgjegjësinë për humbjen e orëve të mësimit do duhej ta marrin qeveritarët. Ai thotë se greva nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesës për rritje pagash.

“Sindikata jonë prej muajit maj të vitit të kaluar, është munduar që përmes dialogut social të realizojë kërkesat legjitime dhe të drejtat për ndryshimin e koeficientit për sektorin e arsimit, por nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Dhe Këshilli Drejtues që është përfaqësues i të gjithë të punësuarve në arsim, mori vendim që të fillojë greva me 14 janar, deri në kohë ta pacaktuar”, tha Jasharaj.

Ndërkohë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi thotë se ndonëse kanë pasur takime të kohëpaskohshme me zyrtarë të SBASHK-ut, megjithatë është dashur të shqyrtohet gjendja reale dhe jo vetëm dëshira dhe vullneti i mësimdhënësve për rritje pagash.

“Ne kemi kërkuar nga SBASHK-u që të jemi në bashkërenditje të veprimeve, por të mos dëmtohet procesi arsimor dhe nxënësit, sepse gjitha të tjerat kanë një zgjidhje dhe mund të riparohen. Mirëpo çdo ditë humbje mësimi është e pariparueshme”.

“Ndonëse këto orë mund të zëvendësohen nuk e kanë të njëjtin efekt dhe është kompensim formal. Andaj ky është apeli jonë që po, do të gjejmë zgjidhje por mos të dëmtohet procesi mësimorë”, tha Bytyqi.

Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBASHK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga mujore të arrijë në rreth 650 euro.

Ndryshe edhe Këshilli për Lirinë dhe të Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate duke thënë se “kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm.

Pas kësaj greve e cila nuk ka afat të caktuar, KMDLNj pyet se si do të kompensohen orët e humbura dhe KMDLNj do të kundërshtojë fuqishëm kompensimin e këtyre orëve gjatë pushimeve të fundjavës, festave apo pushimeve të parapara sepse nxënësit nuk janë fajtorë për këto humbje dhe përgjegjësia bie mbi ata që kontribuojnë humbjen e orëve përkatësisht mbi SBASHK-un”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në të dhënat zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG