Ligjin për përdorimin e gjuhëve është publikuar në Gazetën Zyrtare, duke i dhënë formën e prerë kësaj zgjidhjeje ligjore të diskutueshme tani një kohë të gjatë, që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Vendimi është publikuar vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
“Me bindjen e fortë se jam në të drejt kam ndërmarrë edhe atë veprim me faktin se i kam dhënë të drejtë kreut të shtetit për një vit sa ekziston çështjen e ligjit për gjuhët dhe gjashtë muaj ai për ratifikimin e marrëveshjes për emrin që i njëjti që zbaton obligimet e tij. Për faktin se ai nuk pranoi të zbatojë obligimet e tij është kompetencë dhe obligim i imi që unë që respektoj kushtetutën dhe ligjet që ka miratuar Kuvendi dhe me vullnetin t'i vë në veprim dhe me këtë vlerësoj se kam zbatuar kompetencat e mia kushtetuese”, ka deklaruar kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Shumica parlamentare disa herë kishte kërkuar nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, që të dekretojë ligjin, por kjo kërkesë është shpërfillur në vazhdimësi nga kreu i shtetit, pasi ai dhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE kanë thënë se një veprim i tillë paraqet shkelje pasi, Ligjin për shqipen e kanë vlerësuar si “antikushtetues dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.
“Mbrëmë vonë kishim mundësinë që të shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeveritar LSDM- BDI, koalicion që veten e quan pro-evropian. Shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare dhe e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, pa dekretin e Presidentit, është jo-kushtetues. Kjo paraqet bazë për ndjekje penale”, thuhet në reagimin me shkrim të presidentit, Gjorge Ivanov.
Edhe VMRO DPMNE-ja ka reaguar duke paralajmëruar drejtuesin e Gazetës Zyrtare me ndjekje penale.
“Përgjegjësinë për botimin e ligjit pa firmën e Ivanovit e bartë Martin Kostovski dhe të gjithë të involvuarit e tjerë. Me këtë akt LSDM-ja sërish ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Maqedoni”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së.
Por, nga Qeveria kanë thënë se presidenti është ai që ka bërë shkelje, meqë Kushtetuta e obligonte të dekretojë ligjet pas votimit të dytë në Kuvend.
Ndërkohë, deputeti i BDI-së Artan Grubi ka thënë se me këtë akt është zbatuar tërësisht Marrëveshja e Ohrit.
“Më në fund arritën të zbatojmë pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, me ç’rast arritëm barazinë gjuhësore në Maqedoni në përputhje me kushtetutën dhe me premtimet tona programore. Shoqëria jonë po bëhet më e fuqishme, më kohezive, më e integruar dhe më evropiane”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Edhe njohësit e çështjeve juridike, kanë thënë se vendimi i kreut të Kuvendit dhe i Gazetës Zyrtare është i drejtë, ndërsa fajësojnë kreun e shtetit për shkeljen e Kushtetutës.
“Askush në këtë vend nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjet. Në rastin konkret, presidenti i Republikës me mosrespektimin e normës kushtetuese për nënshkrimin e ligjit pas votimit të dytë në Kuvend, ka bërë shkelje të aktit më të lartë juridik në vend. Presidenti në bazë të Kushtetutës një herë ka të drejtë të mos dekretojë ligjet, por nëse i njëjtit ligj votohet sërish në Kuvend, atëherë Kushtetuta e obligon atë të nënshkruajë ligjin”, ka deklaruar Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese.
Ligji fillimisht ishte miratuar më 11 janar të vitit 2018, por pasi ishte hedhur poshtë nga presidenti i shtetit, Ivanov, Kuvendi e ka miratuar edhe një herë më 14 mars 2018, edhe atë në një atmosferë të tensionuar, të nxitur nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila kishte paraqitur mbi 35 mijë amendamente për bllokimin e tij, por që nuk ishin refuzuar nga shumica parlamentare.
Ndërkohë, njoftimi i kreut të Kuvendit për nënshkrimin e ligjit dhe dërgimin e tij në Gazetën Zyrtare ka nxitur sërish reagime të shumta. Përfaqësues të partive shqiptare, njohës të çështjeve politike aktin e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për pozitën e gjuhës shqipe, ndërsa partitë opozitare dhe personalitete të ndryshme maqedonase kanë dhënë vlerësime negative duke theksuar se botimi i ligjit pa firmën e presidentit paraqet shkelje të Kushtetutës.
Ndryshe, Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, si në të shkruar ashtu edhe në folur si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera.
Për dallim nga më parë, tani edhe drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe.
Zgjidhja ligjore parasheh që edhe mbishkrimet në nivel qendror të jenë në dy gjuhë. Gjithashtu me këtë ligj parashihet që uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punonjësve shëndetësorë të jenë edhe në gjuhën shqipe në Shkup dhe komunat ku mbi 20 për qind e popullatës janë shqiptar.
Në bankënota shqipja nuk do të përdoret, por ato duhet të përmbajnë elemente të historisë dhe kulturës shqiptare.
Zbatimi i ligjit do të nisë një vit pas hyrjes në fuqi, kur të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për gjuhët.
Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit.
Zbatimi i ligjit do të jetë kompetencë e dy institucioneve, të një agjencie dhe inspektorati, që do të merren me mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të miratuara. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet që sillen prej 4 deri në 5 mijë euro.