Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri thotë se deri më tani asnjë person nuk ka kërkuar asistencë financiare për mbrojtje juridike nga Gjykata Speciale në Hagë, pasi një asistencë e tillë, u ofrohet vetëm personave ndaj të cilëve ngritet aktakuzë.
Institucionet e Kosovës, përmes miratimit të Ligjit për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara apo nga Gjykata Speciale, janë zotuar se do të ndihmojnë financiarisht të akuzuarit potencialë nga kjo gjykatë.
“Ky ligj ka tri komponente. E para është asistenca financiare për mbrojtje juridike të personave të akuzuar. E dyta është asistenca financiare të familjarëve të tyre që do t’i vizitojnë në qendrat e paraburgimit dhe e treta do të jetë kompensimi financiar në rast se lirohen të pafajshëm nga ky proces" ka thënë Tahiri.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për media, ku tha se shumë shpejt do të dërgohen në Qeverinë e Kosovës, disa akte nënligjore, ku do të përcaktohet shuma që do të paguajë shteti për mbrojtjen e personave të akuzuar nga Gjykata Speciale.
Tahiri tha se i gjithë procesi i financimit të mbrojtjes për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale, do të jetë transparent.
“Do të jemi maksimalisht transparent në shpenzimin e parasë publike për mbrojtjen, sepse është obligim i shtetit të Kosovës dhe është obligim edhe transparenca maksimale karshi qytetarëve.Do të ketë një përcaktim të asaj se deri në çfarë shume do të paguhet nga shteti i Kosovës për avokatë për këta persona”, tha Tahiri.
Të hënën në Hagë, Prokuroria Speciale ka nisur intervistimin e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në vitin 2015 në Kuvendin e Kosovës. Kjo gjykatë do të veprojë në Hagë, me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Gjykata Speciale pritet të hetojë krimet e supozuara nga ish-pjesëtarët e UÇK-së ndaj serbëve dhe disa shqiptarëve, para dhe gjatë luftës.