Ndërlidhjet

Lushtaku dhe Mustafa sot udhëtojnë drejt Hagës


Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku është nisur sot për në Hagë nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Lushtaku para gazetarëve tha se më 16 janar do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë.

“Nuk e di arsyen, më 16 janar do ta kuptoj”, tha Lushtaku.

Sot, po ashtu pritet të udhëtojë drejt Hagës edhe ish pjesëtari i UÇK-së Rrustem Mustafa.

Avokati Arianit Koci, tha se Lushtaku dhe Mustafa i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale dhe nuk ka komentuar më tutje se në çfarë cilësie janë të ftuar.

“Mirë po shkojnë, mirë do të kthehemi. Zoti Lushtaku fluturoi tash, do të intervistohet me 16 janar, ai këtë kohë e ka shfrytëzuar për të vizituar disa familjarë, ndërsa zoti Mustafa do të intervistohet nesër më 14 janar. Data për zotin Lushtaku është shtyer sepse të dy e kanë pasur të njëjtin avokat dhe është dashur të koordinohet koha”, tha Koci.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se sot ka vizituar Lushtakun dhe Mustafën, duke theksuar se beson fuqishëm në pastërtinë e luftës së UÇK-së.

"Sot, kam vizituar dy komandantët e UÇK-së, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën. Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë! Së bashku do të dalim faqebardhë edhe në këtë sfidë", tha Haradinaj.

Disa ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ftuar për të dëshmuar para Prokurorisë Speciale në Hagë, për krime lufte në Kosovë.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG