Ndërlidhjet

Kërcënimet me greva


Shkollë në Prishtinë (Foto nga arkivi)
Shkollë në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Grevat po bëhen gjithnjë e më tepër si forma më e preferuar e punonjësve në sektorë të caktuar publik, për shtimin e presionit ndaj Qeverisë për rritje të pagave dhe për kushte më të mira të punës.

Grevat po organizohen si formë e pakënaqësisë që nga fillimi i këtij viti nga punëtorët, të cilët paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Edhe pse grevat po realizohen në forma dhe sektorë të ndryshëm, emëruesi i përbashkët i kërkesës të tyre, është rritja e pagave.

Viti filloi me grevën e punonjësve të sektorit të shëndetësisë, por të cilët në masë të madhe e ndërprenë atë, pas premtimeve që morën nga Qeveria. Megjithatë, kirurgët nuk janë bindur nga ato premtime dhe po e vazhdojnë grevë.

Minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça” që nga 3 janari janë në grevë të përgjithshme, duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind.

Kurse, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se më 14 janar, do të fillojë greva në gjithë sektorin e arsimit, nga kopshtet e deri tek institucionet e larta universitare. Ata po kërkojë rishikimin e Ligjit të pagave, me të cilin po kërkojnë ngritjen e pagave për mësimdhënësit me 30 për qind.

Arsyet e grevave të punëtorëve të këtyre sektorëve, i përkrah edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Avni Ajdini, kryetar i BSPK-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shpërfaqjen e pakënaqësive të punëtorëve përmes grevave, po e nxit, siç thotë ai, Qeveria e Kosovës. Grevat janë vazhdimësi e pakënaqësive të vitit të kaluar, thotë ai, kur Qeveria e Kosovës, rriti pagat për zyrtarë të lartë të saj, Qeveri kjo e cila ka numër të madh të zëvendësministrave dhe këshilltarëve.

* Video nga arkivi: Qytetarët i dhurojnë kryeministrit Haradinaj kravata e këmisha

Qytetarët i dhurojnë kryeministrit Haradinaj kravata e këmisha
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

“Njëherë i ngacmoi, provokoi punëtorët me rritjen e pagave, tashmë i ngacmoi me numrin e madh të këshilltarëve. Kjo është çështje shumë e ndjeshme. Pagat që u rritën në përqindje të lartë për zyrtarë të Qeverisë dhe jo për punëtorët, i nxiti të gjitha federatat që të organizojnë greva të ndryshme për realizimin e të drejtave të tyre”.

“Të gjitha kërkesat janë legjitime në përputhshmëri me ligjet dhe konventat ndërkombëtare për punëtorët. Kurse, sa i përket kërkesës së kirurgëve, nuk kam të drejtë të flas, për shkak se nuk janë anëtarë të BSPK-së”, thekson në vazhdim ai.

Ndryshe, rritja e pagave për minatorët është vlerësuar e pamundshme nga ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka.

Kurse, sa i përket kërkesës së SBASHK-ut, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten ka thënë se në këtë sektor kanë ndodhur disa përmirësime, ndërsa mundësitë tjera, siç është shprehur ai, do të shikohen me Ligjin për Pagat. Ky ligj, ka deklaruar Haradinaj, në mënyrë të veçantë i trajton edhe pagat e mjekëve.

Pritjet janë që Projektligji për Pagat, të rregullojë sado pak situatën kaotike me pagat në sektorin publik. Kështu të paktën pret vetë kryeministri Haradinaj.

Por, ky Projektligj është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë në njërën nga seancat e para të Kuvendit të Kosovës për miratim.

Kryetari i këtij Komisioni në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të këtij muaji pritet miratimi i këtij ligji, i cili, sipas tij, mund të pësojë edhe disa modifikime të arsyeshme.

“Të gjitha amendamentet e arsyeshme do të inkorporohen si pjesë e ligjit dhe do të jenë ato mundësi që ne i favorizojmë për një stabilitet dhe një nivelizim të pagave. Mua më intereson që Ligji për Pagat, të ketë parim; për punën e njëjtë - pagë të njëjtë, ky të jetë parim dhe bazë i udhëheqjes së pagave në nivel të Kosovës”, është shprehur Hasani

Ky projektligj pritet të miratohet në seancat e para të Kuvendit të Kosovës, me të mbaruar pushimet dimërore për deputetët. Miratimi i këtij Ligji është vendosur si kusht nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, për të votuar Buxhetin për vitin 2019, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë ende Buxhetin për këtë vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG