Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur vitin 2019-të, vit të NATO-s në Kosovë.
Siç thuhet në një njoftim të Presidencës, këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur “pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën”.
“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre” thuhet në komunikatë.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë ndaj caqeve serbe kishte filluar më 24 mars 1999 dhe kishte zgjatur gjithsej 78 ditë.