Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shpreh shqetësim të madh për numrin e vogël të ofertuesve në valët e shitjeve të pronave shoqërore në Kosovë.
Që nga fillimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore në vitin 2002/2003, sipas të dhënave të AKP-së, deri më tani janë privatizuar 1607 prona, asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe kontratat për të gjitha këto asete janë nënshkruar, derisa të paprivatizuara kanë mbetur rreth 2119 asete shoqërore.
Në mesin e aseteve të paprivatzuara në Kosovë, numrin më të madh e përbëjnë tokat bujqësore.
Drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se numri i ofertueseve për asetet e mbetura duhet të rritet në mënyrë që edhe procesi i privatizimit të mund të përfundojë më shpejtë.
“Ka pasur një mungesë të njoftimit apo një marketingu në valët e shitjeve, por ne duhet ta rrisim agresivitetin në mënyrë që të shtohet numri i shitjeve. Rritja e numrit të shitjeve nënkupton përmbylljen e procesit sa më shpejtë”.
“Mungesa e ofertimit me asete që dalin në shitje, nënkupton zgjatje të periudhës përmbyllëse të procesit të privatizimit. Në valët e shitjeve që ne i kemi të planifikuara çdo muaj ka numër të vogël të ofertimeve dhe kjo është shqetësuese dhe ne mendojmë që përmes metodës së hapur t’i bëjmë të njohura asetet tek të gjithë njerëzit”, thotë Tolaj.
Ai shton se procesi i privatizimit ka pasur një dinamikë të ngadalshme, e cila tani do të përshpejtohet.
Procesi i privatizimit, në përgjithësi, në Kosovë është shoqëruar me kundërshtime dhe dilema të shumta. Ekspertë të çështjeve ekonomike, shpesh herë ishin shprehur kritik ndaj këtij procesi. Ata e kishin vlerësuar si një proces i cili nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike.
Nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore thuhet të jenë grumbulluara rreth 700 milionë euro, prej të cilave mbi 100 milionë euro janë ndarë në emër të 20 përqindëshit, që ndahen për punëtorët pas shitjes së ndërmarrjes, në të cilën kanë punuar, kurse për kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro.
Nga fondi tepricë në buxhetin e Kosovës, AKP ka derdhur mbi 100 milionë euro.
Video: Nga Hoteli Grand në “mini Grand”
Ndërkaq, në Fondin rezervë janë më shumë se 460 milionë euro, që sipas përfaqësuesve të AKP-së, mbahen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj thekson se përgjatë viteve ka pasur mungesë të bashkëpunimit në mes Agjencisë Kosovare të privatizimit dhe institucioneve të tjera.
“Nuk mundet një institucion i rëndësishëm siç është AKP –ja të ketë mungesë të bashkëpunimit me institucionet tjera që janë të rëndësishme në Kosovë përfshirë Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës, agjencitë dhe gjykatat të cilat kanë një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces.”, thotë Tolaj.
Qeveria e Kosovës ndërkohë është e interesuar që në një kohë më të shpejtë të përmbyll procesin e privatizimit. Zyrtarë të qeverisë e kanë konsideruar se ky proces është zgjatur së tepërmi.
Lidhur me procesin e përmbylljes së privatizimit, Tolaj thekson se AKP ka një strategji të aprovuar nga Bordi i AKP-së ku supozohet që në periudhën shtatëvjeçare të bëhet përmbyllja e procesit të privatizimit dhe shitjes së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që janë në likuidim
Megjithatë, sipas tij, afatet kohore nuk varen nga AKP.
“Ne si AKP në periudhën pesëvjeçare do të mund të përmbyllim procesin e privatizimit, por nuk mund të jap data, nuk mund të siguroj që për pesë vjet përmbyllet marrë parasysh dinamikën dhe varshmërinë tonë nga institucionet tjera. Problemi më i madh është jofunksionaliteti i Dhomës së Posaçme ku është një bllokim total ku AKP është e varur nga përgjigjet e këtij mekanizimi dhe besojmë që Kuvendi i Kosovës të zhbllokojë sa më shpejt këtë përmes votimit të Ligjit për dhomën e Posaçme dhe tani AKP do të bëhet më funksionale”, thotë Tolaj.
Një nga sfidat e AKP-së, në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, sipas Tolajt, mbetet privatizimi i aseteve që gjenden jashtë vendit.
“Të gjitha këto asete të Kosovës që gjenden jashtë vendit i nënshtrohen të njëjtave procedura. Megjithatë, operimi me to nuk është i lehtë sidomos me astetet që AKP ka në Serbi, ato janë më pak të komplikuara për shkak të mungesës së komunikimit me institucionet e këtij shteti. Përndryshe të gjitha asetet tjera të Kosovës që janë në shtete të ndryshme do të kenë të njëjtën procedurë të shitjes dhe transformimit të pronës shoqërore në atë private apo publike”, thotë Tolaj.
Ndryshe, sipas të dhënave që posedon AKP, gjithsej jashtë territorit të Kosovës të shpërndara nëpër vende të ish Jugosllavisë janë 162 asete shoqërore.
Këto 162 asete i përkasin 38 ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.