Ndërlidhjet

LDK kundër ekipit negociator në dialogun me Serbinë, kërkon zgjedhje te reja


Shefi i Grupit Parlamentar në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në një konferencë për media se LDK-ja, nuk e pranon ftesën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njëherësh kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, që LDK-ja të bëhet pjesë e grupit negociator në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se koalicioni qeveritar po mundohet “të arnohet” me votat e një partie politike opozitare.

Me këtë ai i është referuar Partisë Sociademokrate, e cila sipas tij “votat i ka fituar nga një parti tjetër opozitare”.

“Ekipi dialogues ka marr vetëm 59 vota që nuk përbëjnë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht kësaj, ta kenë të qartë se dialogu nuk mund të udhëhiqet as nga partia e shtatë në Kuvendin e Kosovës e as nga ata që kanë mandate të huaja në Kuvendin e Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet me platformë apo ligj që tejkalon Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Hoti.

Përveç tjerash, ai ka thënë se legjitimiteti nuk fitohet me tryeza politike dhe se ftesa e Veselit është përpjekje për të fituar legjitimitetin e munguar të koalicionit PAN, [Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA].

“Ne i kemi dhënë mundësi koalicionit PAN përmes tryezave që të dakordohemi, por arroganca e tyre ka bërë që të mos ketë konsensus”, është shprehur Hoti në një konferencë për media.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare që nuk janë përfshirë në ekip, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne nuk jemi duke hyrë në procesin e dialogut për ta ribërë shtetin e Kosovës. Ekipi i dialogut është qeveria legjitime me rolin kyç të opozitës dhe të shoqërisë civile”, ka shtuar Hoti.

Pos tjerash ai ka thënë se koalicioni qeveritar, duhet të pranojë se nuk ka fuqi politike për ta udhëhequr institucionet e një vendi.

Sipas tij zgjidhja e duhur në këtë kohë është që të gjithë të takohen dhe të flasin për caktimin e një date për zgjedhjet e reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG