Ndërlidhjet

Lënia e Kosovës jashtë INTERPOL-it, mundësi që kriminelët të fshihen


Ceremoni gradimi në Policinë e Kosovës
Ceremoni gradimi në Policinë e Kosovës

Mospranimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë- INTERPOL, e bën më të vështirë jo vetëm qasjen, por edhe punën dhe efikasitetin e organeve të rendit për luftimin e krimit, kontrabandës e terrorizmit.

Bashkëpunimi ndërmjet policive nga vende të ndryshme të botës, konsiderohet si i domosdoshëm në luftimin e dukurive negative, të cilat shtrihen në shumë vende.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se fakti që Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, krijon një zbrazëtirë informacioni, ngase Policia e Kosovës nuk ka qasje në bazën e të dhënave të kësaj organizate.

“Kosova nuk ka qasje direkte në databazat e INTERPOL-it, që do të thotë se çdo veturë e vjedhur mund të hyjë në Kosovë dhe ne të mos kemi informacione. Çdo dokument i vjedhur mund të përdoret nëpër kufijtë tanë dhe ne mos ta dimë, ndërsa edhe personat që janë në kërkim ndërkombëtar, mund të frekuentojnë Kosovën dhe ne mos të jemi në dijeni".

"Për shkak të çështjeve teknike që ekzistojnë, është e pamundur që Policia e Kosovës t’i vendosë personat, veturat apo dokumentet në sisteme, sepse ato ndryshojnë brenda minutave, kështu që ne minimalisht vendosim persona që janë në kërkim vetëm nga rajoni ynë Ballkanik”, thekson Hoxha.

Megjithatë, ai shton se Policia ka arritur që me angazhimin e saj, përmes bashkëpunimit me shtete tjera, të realizojë me sukses objektiva të rëndësishëm.

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me mosanëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, Kosova mbetet një njollë e zezë në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Vota kundër e shteteve anëtare të INTERPOL-it, në Asamblenë e Përgjithshme, sipas tij, është e pakuptimtë pasi anëtarësimi i Kosovës është edhe në vetë interesin e kësaj organizate dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Nuk kam mundur assesi t’i kuptoj shtetet anëtare të INTERPOL-it që kanë votuar kundër, sepse mosanëtarësimi i Kosovës do të jetë hendikep edhe për ta, pasi që realisht, me punën e deritashme, Policia e Kosovës, por edhe institucionet tjera, kanë dhënë kontribut të çmuar në identifikimit e kryerësve të veprave dhe por dukurive të ndryshme, që kanë kontribuar në vetë misionin e Interpolit”, thotë Ibishi.

*Video nga arkivi: Ku mbetën 1 milion eurot e lobimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL?

Ku mbetën 1 milion eurot e lobimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Pos kësaj, Ibishi vlerëson se në mungesë të qasjes në bazën e të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, siguria nacionale e Kosovës mund të vihet në rrezik.

Këtu, ai përmend veçmas rrezikun nga kthimi i luftëtarëve të përshirë në luftërat terroriste në Irak e Siri, të cilët, sipas tij, mund të kthehen në Kosovë lirshëm, pasi Policia mund të mos ketë informacione për ta.

“Në aspektin e sigurisë nacionale, nxjerr problem sepse ata një ditë edhe mund të kthehen pa e ditur ne apo mund të jenë edhe në një shtet diku afër nesh dhe presin rastin që në një formë ilegale apo në një formë tjetër të kalojnë brenda Kosovës, apo eventualisht të kalojnë transit, dhe jo vetëm ata, por edhe anëtarë tjerë të grupeve terroriste dhe të krimit të organizuar”, shpjegon Ibishi.

Ai shton se zyra për bashkëpunim me INTERPOL-in, e cila në Kosovë funksionon në kuadër të UNMIK-ut, është e ngadalshme dhe jo-efikase. Sipas tij, kjo shkakton pengesa të mëdha në procedimin e informacioneve dhe veprimeve të caktuara si arrestimet apo ekstradimet.

Mosanëtarësimi, konsideron Ibishi, mund të ndikojë edhe në ngecjen për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe pajisjen me mjete të nevojshme.

Mosanëtarësimin në INTERPOL, Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e patën cilësuar si humbje për sigurinë e Ballkanit, duke reaguar edhe për fushatën e lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, të udhëhequr nga Serbia.

Kurse, Policia e Kosovës e sheh votën kundër, si votë politike. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Daut Hoxha, organet e rendit në Kosovë i plotësojnë kushtet ligjore, teknike dhe ato të burimeve njerëzore për t’u bërë pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

“Siç është potencuar dhe është parë edhe gjatë votimit në Dubai, vështirësitë janë politike, sepse Kosova i plotëson kushtet ligjore dhe teknike, por edhe me burime njerëzore që të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Mosanëtarësimi ynë në INTERPOL paraqet një zbrazëtirë informacioni, një pike qorre dhe një unazë që mungon në zinxhir dhe kjo nuk është humbje vetëm për Kosovën”, thotë Hoxha.

Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Vitin e kaluar, më 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG