Ndërlidhjet

Aleatët nuk pajtohen për tërheqjen e trupave të SHBA-së nga Siria


Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur atë që do të jetë tërheqje e plotë e trupave amerikane nga Siria, pasi ka deklaruar të mërkurën se ata kanë përfunduar me sukses misionin e tyre kundër grupit militant, Shteti Islamik, dhe këta trupa nuk janë më të nevojshëm në këtë shtet.

Vendimi për t’u larguar plotësisht, siç është konfirmuar nga zyrtarët amerikanë dhe që pritet të ndodhë në muajt vijues, tregon se 2,000 trupat amerikane kanë përfunduar fushatën duke rifituar kontrollin e territorit që dikur kanë zotëruar militantët e IS-it.

Mirëpo një vendim i tillë nuk i jep shumë mundësi SHBA-së për të parandaluar ndonjë kryengritje tjetër të IS-it.

Një gjë e tillë po ashtu do të zvogëlonte ndikimin amerikan në rajon dhe do të dëmtonte përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Siri, e cila tashmë ka hyrë në vitin e tetë.

“Ata të gjithë do të kthehen dhe do të kthehen tani. Ne kemi fituar”, ka thënë Trump të mërkurën në një video të postuar në rrjetin social Twitter.

Lajmet për tërheqje të plotë kanë nxitur kritika të menjëhershme nga disa prej republikanëve të partisë së tij, të cilët kanë thënë se një hap i tillë e fuqizon Rusinë dhe Iranin, të cilat e mbështesin presidentin sirian, Bashar al Assad.

Pamje të sulmeve amerikane në Siri, video nga arkivi

Një gjë e tillë po ashtu mund të lë të pambrojtur aleancën e kurdëve dhe arabëve të njohur si Forcat Demokratike Siriane (SDF), të cilët kanë qenë në mesin e forcave më efikase kundër militantëve të IS-it, mirëpo këto forca tani janë duke u përballuar me një ofensivë të re të Turqisë në Siri.

Forcat Demokratike Siriane kanë paralajmëruar të enjten se vendimi e befasishëm i Trumpit për t’i tërhequr trupat amerikane do t’i japë hapësirë militantëve të Shtetit Islamik që të fuqizohen.

Përveç tjerash këto Forca kanë thënë se një hapësirë e tillë ushtarake mund të rezultojë me ambient armiqësor mes palëve në Siri.

Megjithatë Trump ka thënë se ai e konsideron të përfunduar misionin e SHBA-së në Siri, mirëpo Shtëpia e Bardhë nuk ka ofruar të dhëna se kur mund të ndodhë tërheqja e plotë.

Një zyrtar amerikan ka thënë se Uashingtoni synon të tërheqë trupat brenda 60 deri në 100 ditë dhe kanë thënë se Departamenti amerikan i Shtetit do të evakuojë të gjithë personelin nga Siria brenda 24 orëve.

Lajm i papritur

Trump duket se është i vetëdijshëm për konfliktet afatgjata dhe vendimi i tij në Sirinë ka ngritur pyetjet nëse ai do të rikonsiderojë përpjekjet amerikane në Afganistan, ku forcat amerikane kanë luftuar nga viti 2001.

Trump ka rritur numrin e trupave në Afganistan vitin e kaluar mirëpo zyrtarët amerikanë e kanë pranuar privatisht nevojën urgjente për të siguruar paqe me talibanët, transmeton Reuters.

Disa nga republikanët që janë aleatë më Trumpin kanë kundërshtuar tërheqjen e trupave.

Senatori amerikan, Lindsey Graham, zakonisht përkrahës i Trumpit ka thënë se tërheqja e trupave do të ketë “pasoja shkatërruese” për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin në gjithë botën.

“Një tërheqje amerikane në këtë kohë do të jetë fitore e madhe për IS-in, Iranin, Bashar al-Assadin dhe Rusinë”, ka thënë Graham përmes një deklarate.

Një vendim i tillë ka qenë befasi edhe për liderë tjerë botërorë.

Ministri britanik i Mbrojtes ka thënë se ai nuk pajtohet me qëndrimin e Trumpit se është mposhtur Shteti Islamik derisa zyrtarë izraelitë kanë thënë se Izraeli do të studiojë vendimin dhe do të garantojë sigurinë e tij.

Në Rusi, agjencia e lajmeve TASS ka cituar ministrinë e Jashtme të ketë thënë se tërheqja e trupave amerikane nga Siria ka krijuar perspektivë për zgjedhje politike.

Një përqindëshi i fundit

Grupi militant, Shtetit Islamik ka shpallur të ashtuquajturin “kalifat” më 2014, pasi ka fituar kontrollin e disa pjesëve në Siri dhe Irak.

Përveç tjerash ky grup ka shpallur edhe qytetin sirian, Raka si kryeqytet të kalifatit, duke e shfrytëzuar këtë zonë për të organizuar sulme në Evropë.

Një zyrtar amerikan ka thënë javën e kaluar se grupi tashmë zotëron vetëm 1 për qind të territorit që ka pasur dikur.

Megjithatë zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se rimarrja e territorit nga IS-i nuk është e njëjtë sikurse mposhtja e grupit.

“Koalicioni ka çliruar territorin e zotëruar nga IS-i, mirëpo fushata kundër këtij grupi nuk ka përfunduar”, ka thënë zëdhënësja e Pentagonit. Dana White përmes një deklarate.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG