Ndërlidhjet

Mbetet e paqartë kë do ta falë Ligji për amnistinë


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Ende nuk është e qartë se kush do të amnistohet e kush do të ndiqet penalisht, ndërkohë që tashmë ka marrë vizë Ligji për amnisti për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, nga trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim.

Miratimi i Ligjit për amnistinë e 27 prillit, është ai që kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se njëherë duhet të përfundojë procesi gjyqësor, i cili është në rrjedhë dhe pastaj të falen personat e caktuar që kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në institucionin ligjvënës.

Propozim-ligji për amnisti për ngjarjet e dhunshme të Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017, javën që vjen pritet të miratohet me procedurë të përshpejtuar nga ligjvënësit, pasi ka marrë vizë nga anëtarët e nëngrupit parlamentar për pajtim.

Por, ende mbetet e paqartë se kush me saktësi do të amnistohet e kush do të vazhdojë të ndiqet penalisht.

Është theksuar vetëm se në draft-tekstin e ligjit për amnisti që përfshin pjesëmarrësit në dhunën në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017,nuk parashihet të përfshihen veprat që kanë të bëjnë me: dhunë, organizim të dhunës dhe tentim vrasje.

“Me qëllim që të mos e dëmtojmë procesin, nuk do të dalim me detaje për të njëjtin. Por, ajo që është përmendur tanimë disa herë, mund të them se është gjetur formulim juridik dhe është bërë ndarje e qartë nga personat që janë organizatorë të ngjarjes dhe dhunuesit më 27 prill ”, ka theksuar për mediat Zeqir Ramçilloviq, udhëheqës i nëngrupit për pajtim në kuadër të Parlamentit të Maqedonisë.

Ndërkaq, kryetari i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, ka theksuar se deputetët e partisë që përfaqëson, do të vendosin se a do ta mbështesin ligjin për amnisti pasi ta kenë shqyrtuar.

Lideri opozitar, është shprehur se ka dilema rreth ligjit.

“Çdo zgjidhje ligjore për personat që janë në ndjekje politike, VMRO DPMNE-ja do ta mbështes. Por, dua të them se qëllimi i këtij ligji dihet qartë, cilët persona do të amnistohen dhe në opinion ka qarkulluar edhe arsyeja pse është sjell ky ligj”, ka theksuar Mickovski, duke aluduar se ligji sillet që të amnistohen deputetët e VMRO DPMNE-së që votuan për ndryshimet kushtetuese.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë për Radion Evropa e Lirë se në këtë formë me ligjin për amnisti përfshihen vetëm pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 dhe në një formë diskriminohen ata që ngarkohen po për të njëjtën vepër gjatë periudhës së krizës, në të cilën ndodhej Maqedonia.

“Mendimi im është se 27 prilli dita kur u sulmua Parlamenti i Maqedonisë nga një turmë njerëzish që protestonin jashtë ndërtesës së Parlamentit është vetëm kulmi i një krize më të gjerë, në të cilën ndodhej Maqedonia, e që shtrihet nga viti 2015 e deri në formimin e Qeverisë së re në vitin 2017 “.

“Në këtë fazë, me aq sa jam i njoftuar nuk është definuar qartë periudha që përfshin ligji për amnisti”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

Me draft-ligjin për amnisti, të akuzuarve do t’u mundësohet që të prononcohen nëse pranojnë amnisti apo duan ta vazhdojnë procedurën gjyqësore.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve juridike thonë se njëherë duhet të përfundojë i tërë procesi gjyqësor, i cili është në rrjedhë dhe pastaj të falen personat e caktuar që kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në institucionin ligjvënës.

Ish- prokurori Jovan Trpenovsi, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo lirim nga akuza, përmes ligjit për amnisti për personat që janë në proces gjyqësor për përfshirjen në ngjarjet e dhunshme më 27 prill, përfshi këtu dhe deputetë të VMRO DPMNE-së, në këtë fazë paraqet ndërhyrje në sistemin gjyqësor.

“Falja, apo lirimi me kusht është i mundshëm t’u sjellë liri personave të caktuar, të cilët ishin të involuvar në ngjarjet e dhunshme në Parlament më 27 prill, varësisht nga dënimi që do t’u caktohet nga gjykata pasi të përfundojë procesi “, thotë Trpenovski.

Do theksuar se pikërisht miratimi i Ligjit për amnistinë e 27 prillit është ai që kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG