Ndërlidhjet

Gjermania dhe Turqia, eksportueset kryesore të mallrave në Kosovë


Kufiri Kosovë - Serbi në Merdare
Kufiri Kosovë - Serbi në Merdare

Gjermania dhe Turqia janë dy vendet që kanë marrë vendin e parë për kah niveli i eksportit të mallrave në drejtim të Kosovës. Këto dy shtete, prijnë për kah eksporti i mallrave në Kosovë që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, më 21 nëntor.

Deri para tri javësh, listës së shteteve prej të cilave Kosova blinte më së shumti mallra i printe Serbia. Pas saj, në top-pesëshe renditeshin Gjermania, Turqia, Kina dhe Italia. Ndërsa, Shqipëria renditej në vendin e gjashtë të listës së shteteve, nga të cilat Kosova importonte më së shumti.

Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në tri javët e para të taksës, në top- pesëshe të vendeve të importit nuk figuron më Serbia, ndërsa Gjermania zë vendin e parë, e Shqipëria shënon ngritje nga vendi i gjashtë në të katërtin.

“Duke përfshirë këto ditë, që nga vendosja e taksës, kemi rreth 21 milionë euro mallra import nga Gjermania, 21 (milionë euro) nga Turqia, 17 (milionë euro) nga Kina, 12 (milionë euro) nga Shqipëria dhe 10 nga Italia. Do të thotë, çka ka ndodhur në listën e top -pesë importuesve është se vetëm është hequr Serbia nga top-pesëshja”, bën të ditur Stavileci.

Ai thotë se para vendimit për taksën 100 për qind, Kosova importonte nga Serbia mesatarisht 36 milionë euro mallra, çdo muaj.

“Nëse e shohim në aspektin ditor, nga Serbia ka pasur një mesatare të eksportit ditor në Kosovë, të produkteve të tyre me rreth 1.2 milionë euro në ditë, derisa tërë vitin ka eksportuar rreth 440 milionë euro”, shton zëdhënësi i Doganës, Stavileci.

*Video nga arkivi: Ndalet qarkullimi i mallrave nga Serbia

Ndalet qarkullimi i mallrave nga Serbia
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:39 0:00

Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se bizneset kosovare kanë filluar të kërkojnë alternativa për zëvendësimin e produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, që kur fillimisht ishte vendosur taksa prej10 për qind.

Kreu i këtij institucioni, Berat Rukiqi, thotë se pas rritjes së taksës në 100 për qind, pothuajse tërësisht bizneset janë orientuar në gjetjen e tregjeve të reja furnizuese.

Duke marrë shembull rritjen e importit të hekurit nga Shqipëria, gjatë kësaj periudhe, si zëvendësim për atë nga Bosnja, Rukiqi thotë se kjo tregon që tregu shqiptar shërben kryesisht për import të lëndës së parë, ndërsa vendet tjera për produktet finale.

“Pra, kryesisht fokus i zëvendësimit të importeve në rastin e Shqipërisë, mund të jetë lënda e parë, për shkak të afërsisë, transportit, për shkak të kostos. Sa u përket produkteve finale, sigurisht në vendet tjera mund të gjenden alternativa dhe nuk mund të ketë ndikime edhe në çmime”, shpjegon Rukiqi.

Sipas Rukiqit, tregu i ri që po krijohet pas vendosjes së taksës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse kjo masë mbetet në fuqi për një kohë më të gjatë, pasi shfuqizimi i saj, konsideron ai, do të mund të rikthente lidhjet me tregun e këtyre vendeve.

“Sa është e qëndrueshme, kjo mbetet të shihet varësisht nga kohëzgjatja e taksës. Çdo ditë më shumë që mbetet taksa, çdo ditë më shumë rritet edhe potenciali që një pjesë të mirë të tregut që Serbia e ka pasur në Kosovë edhe ta humbë përfundimisht, për shkak se në shumë raste krijohen lidhje afat-gjate, tash edhe këto gjetjet reja, të burimeve të reja, normalisht që krijojnë lidhje tjera dhe kjo pastaj ndikon që të humbë interesimi që të importohet nga Serbia”, shton kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.

Më 21 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e taksës doganore në 100 për qind, për mallrat që importohet nga Serbia dhe Bonje e Hercegovina.

Pavarësisht kërkesës së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e kësaj takse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur disa herë që kjo masë do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG