Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ju ka bërë thirrje edhe një herë studentëve protestues që të ulen dhe të flasin me të.
Sipas kryeministrit shqiptar, tetë pikat që studentët i kërkojnë të plotësohen pa dialog dhe diskutim, janë vetëm fillimi apo pikënisja e transformimit që u duhet universiteteve të Shqipërisë.
Përmes thirrjes së tij të shkruar në rrjetin social Facebook, Rama ka thënë se nuk ka asnjë kusht dhe është në dispozicion t’i dëgjojë studentët.
Studentët sot po protestojnë për të tetën ditë. Kjo protestë është pa përfaqësi dhe organizohet në mënyrë spontane nga studentët.
Përmes këtyre protestave, studentët kërkojnë plotësimin e tetë kërkesave që përfshijnë përgjysmim të tarifave dhe përmirësimit të cilësisë të arsimit publik, përmirësimin e kushteve të konvikteve, përfaqësimin e tyre në borde administrative dhe mbështetje financiare të aktiviteteve dhe kërkimeve shkencore.
Policia e Shtetit ka nisur procedurë penale për 25 protestues për të cilët është thënë se kanë bllokuar rrugët pa leje për protestë.
“Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, Lidhja Socialiste për Integrim, parti opozitare në Shqipëri, ka depozituar në Kuvend dy amandamente që sipas tyre zgjidhin përfundimisht tetë kërkesat e studentëve.
Këto dy amandamente kanë të bëjnë me rritje të buxhetit për arsimin dhe ligjin për arsimin e lartë i cili siguron rritjen me 50% te peshës së studentëve në zgjedhjet që bëhen në universitet.
Protesta studentore e një dite më parë, më e madhja deri tani, edhe pse me paralajmërime nga vetë studentët se mund të përshkallëzojë, ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident.