Studentët e Universitetit të Shqipërisë kanë marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit në ditën e gjashtë të protestave duke sfiduar thirrjet e kryeministrit Edi Rama për dialog.
Që nga java e kaluar mijëra studentë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre që lidhen me koston e lartë të studimeve në Universitetin publik dhe cilësinë e arsimit, përmes protestës në Tiranë.
Pas disa përpjekjesh për të zbutur tensionet, përfshirë premtimin për të ulur tarifat e provimeve të mbetura, Kryeministri Rama të hënën është lidhur drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook për të biseduar me studentët përmes pyetjeve që ata i adresojnë për qeverinë.
“Dua të komunikoj dhe të përpiqem të shpjegoj pse dialogu është i domosdoshëm”, tha kryeministri.
Studentët pjesëmarrës në protestë kanë refuzuar çdo lloj negociate me qeverinë duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Është e para herë në historinë e protestave kur jo qeveria, por protestuesit thonë nuk duam të bisedojmë”, tha Rama në përgjigje të tyre.
Ai tha se është dakord me studentët që sistemi arsimor ka probleme të shumta, por “duhet të ulemi dhe të bisedojmë që të gjejmë zgjidhje.”
Me pankarta “mos na rrënoni të ardhmen”, “na falni që s’po ju lejojmë të vidhni të qetë”, “Vendi ynë është në Shqipëri - ju po deshët ikni”, studentëve të Tiranës u janë bashkuar në protestë edhe studentët nga qytetet tjera.
Protestuesit i kanë identifikuar 8 kërkesa që përfshijnë përgjysmim të tarifave dhe përmirësimit të cilësisë të arsimit publik, përmirësimin e kushteve të konvikteve, përfaqësimin e tyre në borde administrative dhe mbështetje financiare të aktiviteteve dhe kërkimeve shkencore.
Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura.
Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.
Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë me GDP prej 4,868 dollarë për koke banori, ndërkohë që sipas Bankës Botërore në vitin 2017 2.49% të GDP është shpenzuar ne arsim, që është nën mesataren evropiane.