Ndërlidhjet

Rreth pesë mijë raste të vjedhjeve ndaj pronave të qytetarëve


Ilustrim
Ilustrim

Rreth pesë mijë raste të vjedhjeve të kryera janë shënuar këtë vit në Kosovë. Statistikat, të cilat publikohen nga policia, përmbajnë të dhëna për dhjetë muaj.

Në këto raste, shqetësues thuhet se është numri i grabitjeve me armë zjarri, ku pos dëmeve materiale e pronësore, rrezikohet direkt edhe jeta e qytetarëve.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, rajoni i Prishtinës është më i rrezikuari nga grabitjet e armatosura.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, janar-tetor, në regjionin e Prishtinës kanë ndodhur 59 raste të grabitjeve të armatosura. Kurse, në të gjitha regjionet tjera kanë ndodhur shumë më pak grabitje të armatosura, konkretisht në banka janë evidentuar gjashtë raste. Në këto gjashtë raste, shtatë persona janë të dyshuar, nga këta janë arrestuar tre të dyshuar”, thotë Hoxha.

Sipas Hoxhës, përveç pjesëtarëve të rregullt patrullues, forcat e rendit kanë të angazhuar edhe njësitet e hetimeve të cilat merren me trajtimin dhe hetimin e rasteve të vjedhjeve dhe grabitjeve, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe ofruar siguri të përgjithshme.

“Policia, pas hetimeve intensive në zbardhjen dhe arrestimin e kryerësve të këtyre veprave ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në këto raste, janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim, prej tyre ka persona që dyshohet se kanë kryer me shume se dy grabitje, kurse gjashtë të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia janë në arrati”, shton zëdhënësi i policisë.

Përderisa shprehet i shqetësuar me gjendjen, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se për shkak të neglizhencës së institucioneve, të cilat, sipas tij, e kanë lënë anash çështjen e sigurisë, po rrezikohet edhe jeta dhe prona e qytetarëve.

Sipas tij, një prej hapave të parë dhe urgjent është vendosja e kamerave të sigurisë në rrugë, në të gjitha qytetet.

“Duhet që urgjentisht institucionet e Kosovës, komunat, të vendosin kamerat e sigurisë dhe nga zyrat përkatëse të monitorohet komplet qyteti nga Policia e Kosovës, sepse kjo do të ndikonte edhe në aspektin psikologjik te grupet e organizuara kriminale, të cilave në vetëdijen e tyre do ju ngulitej në kokë se vërtetë janë të monitoruar 24 orë. Dhe që të kryhet një vjedhje profesionale në pikun e ditës, nuk kanë ku të shkojnë dhe se do të arrestohen nga Polica”, thotë Islami.

Lidhur me këtë, Islami vlerëson se institucionet shtetërore kanë dështuar të neutralizojnë grupet e organizuara kriminale.

Ai kërkon hartimin e një strategjie për përmirësimin e gjendjes dhe propozon, edhe ndryshime ligjore, të cilat t’i jepnin qytetarëve më shumë të drejta për vetëmbrojtje kur përballen me grabitjet e armatosura.

“Familjari duhet të mëveshët me ligj, t’i lejohet të përdoret arma e zjarrit në vetëmbrojtje ekstreme, sikurse që ka ndodhë rasti i fundit. Kemi shumë raste, si në Albi Mall, dhe raste të tjera kur punëtorët e sigurimit ekzekutohen për shkak ata nuk kanë qenë të armatosur, nuk e kanë pasur mundësinë as të vetëmbrohen nga bandat kriminale”, thekson Islami.

Javën e kaluar në Prishtinë,një person ka qëlluar për vdekje me armë zjarri, një person tjetër që i kishte hyrë në pronë dhe dyshohej se po kryente një vjedhje.

Më herët gjatë këtij viti, ka pasur disa raste, kur gjatë kryerjes së vjedhjes, hajnat kanë vrarë pronarët e shtëpive dhe rojet bizneseve.

Ndryshe, vitin e kaluar, në tërë Kosovën janë regjistruar 5735 raste të veprës penale vjedhje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG