Ndërlidhjet

OEAK: Korrupsioni pengon tërheqjen e investimeve të huaja direkte


Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore për “angazhimin e ulët” në luftimin e korrupsionit.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për luftë më të efektshme kundër korrupsionit, retorika e zotimeve “dominon veprimet e mangëta në këtë drejtim”.

Sipas Odës Amerikane, mosrezultatet e duhura në luftën kundër korrupsionit, zvogëlojnë edhe mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte.

“Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla padyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën për media të Odës Ekonomike Amerikane.

OEAK thotë se në bazë të studimit të tyre të fundit, lidhur me perceptimin e korrupsionit, është gjetur se mbi 75 për qind e bizneseve besojnë se “korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit, mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe korniza e mangët ligjore, derisa mbi 50 për qind e bizneseve të anketuara besojnë se niveli korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vjet më parë”.

Oda Amerikane vlerëson se për të çrrënjosur korrupsionin jetik është gjyqësori efikas dhe llogaridhënës.

“Oda Ekonomike Amerikane beson se asnjë prioritet tjetër nuk do të duhej të linte në hije luftën kundër korrupsionit, meqë një mjedis pa korrupsion do të ofronte prospekte të barabarta zhvillimore për bizneset e vogla dhe të mesme, do të rriste mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, e rrjedhimisht do të ofronte edhe mundësi reale për vende të reja të punës”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për Kosovën që synon liberalizimin e vizave dhe integrimin në këtë mekanizëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG