Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Endrit Shala, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditës së enjte është përmbyllur takimi i CEFTA-s pasi përfaqësuesi nga Serbia i është referuar Kosovës si ‘institucione të përkohshme dhe UNMIK’.
“Unë sot nuk kam qenë pjesëmarrës në takimin përmbyllës të Javës së CEFTA-s, por, paraprakisht i kam kërkuar stafit tim, kryesuesit të CEFTA-s, dhe shefit të kabinetit tim që në asnjë rast Kosova të mos trajtohet ndryshe gjatë mbledhjes së CEFTA-s, por vetëm si shtet i pavarur dhe në asnjë moment si UNMIK”, ka thënë ai.
“Në mëngjes janë dakorduar që të ketë kujdes se si po i referohen Kosovës, por përfaqësuesi i Serbisë në atë moment kur ka filluar mbledhja, ka filluar ta quajë Kosovën si institucione të përkohshme vetëqeverisëse dhe UNMIK-u dhe përfaqësuesi, kryesuesi i CEFTA-s, e ka ndërprerë mbledhjen duke e ndaluar që të thirret Kosova në atë formë”, ka sqaruar Shala.
Sipas tij, delegacioni nga Serbia dhe ai nga Bosnje e Hercegovina, kanë qenë të pranishëm vetëm në takimin e së enjtes, meqë ata nuk kanë marrë pjesë në takimet e mëhershme që janë organizuar në kuadër të Javës së CEFTA-s 2018.
Gjatë kësaj jave në Prishtinë janë organizuar takime të ndryshme në përmbyllje të kryesimit të kësaj marrëveshjeje nga ana e Kosovës.
Ndërkohë përmes një komunikate për media Qeveria e Serbisë ka thënë se delegacionet e Prishtinës dhe Tiranës e kanë lëshuar takimin menjëherë pas ekspozesë që e ka pasur përfaqësuesi i Serbisë.
“Përmes braktisjes së takimit të dyja delegacionet kanë sabotuar përpjekjet që përmes rrugëve paqësore të diskutohet për zgjidhjen e problemeve”.
Serbia dhe Bosnje Hercegovina kishin paralajmëruar më parë se do të bojkotojnë takimet e radhës në Prishtinë në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë - CEFTA, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës doganore prej 100 për qind për importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.