Ndërlidhjet

Pompat e insulinës për diabet nuk janë në listën esenciale të barnave


Rreth 12 mijë persona në Kosovë, besohet se vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo diabeti. Këto nuk janë të dhëna zyrtare, por parashikime që japin profesionistët shëndetësorë.

Sëmundja e diabetit, e njohur edhe si sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe proteinave.

Diabeti tip1, konsiderohet më problematik dhe numri i pacientëve që vuajnë nga ky tip i sëmundjes, është rreth 10 për qind e numrit total të të sëmurëve me diabet.

Endokrinologia Venera Berisha, i tha Radios Evropa e Lirë se diabeti tip 1 është fazë më e avancuar krahasuar me tipet tjera të kësaj sëmundjeje.

Berisha theksoi faktin se për këtë kategori të pacientëve do të duhej të sigurohen pompat e insulinës, të cilat imitojnë mënyrën e sekretimit të insulinës nga pankreasi.

Por, këtë mundësi nuk e kanë pacientët, siç thotë ajo. Megjithatë, ditën e mërkurë është sjellë si donacion vetëm një pompë e tillë dhe i është vendosur pacientit të parë.

“Pompa e insulinës shërben për marrjen e insulinës në sasi precize. Përmes saj mundësohet arritja e vlerës mesatare të sheqerit në gjak për tre muaj. Pompa është ideale dhe e ulë rrezikun e paraqitjes së hipo apo hiperglikemisë si dhe parandalon shfaqjen e komplikimeve nga diabeti”.

“Prej gjithë pacientëve me diabet, janë 10 për qind me diabet tip1, dhe do duhej që këtyre tu sigurohet pompa e insulinës, meqë vetëm për këta pacientë shërben një pompë e tillë”, tha Berisha.

Ajo thekson po ashtu se kjo lloj pompe nuk mund të vendoset te të gjithë pacientët me diabet tip1.

“Kjo vendoset pas analizave të detajuara të pacientit. Shpresoj që do të furnizohet klinika me këto pompa të insulinës dhe do të vendosen tek pacientët. Ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që të futet kjo pompë në listë esenciale”, tha Berisha.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë është duke u bërë revidimi i listës esenciale të barnave, dhe sipas mundësive buxhetore do të futet edhe kjo pompë e insulinës në këtë listë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, bëri të ditur se përpos kësaj liste, do të krijohet edhe një listë e dytë nëse ka mjete shtesë financiare. Bëhet fjalë për mbulimin me barna dhe pajisje që nuk futen në listën esenciale, por që konsiderohen të nevojshme.

"Ministria e Shëndetësisë është në proces të revidimit të listës esenciale të barnave dhe në kuadër të propozimeve që janë marrë nga ekspertë të fushës ka propozime që në listën e re të barnave esenciale të ketë edhe pompë për insulinë. Normalisht se në ditët në vijim do të shqyrtohet propozimi dhe aspekti i kostos financiare dhe në fund do të vendoset për të gjitha ato produkte e pajisje dhe materiale që do të jenë në listë të re të barnave esenciale”, tha Hoti.

Sëmundja e sheqerit prekë edhe fëmijët. Aktualisht në Kosovë nuk ka statistika të sakta as për fëmijët që vuajnë nga diabeti. Por, profesionistët shëndetësorë thonë se numri i tyre është çdo vit në rritje.

Në krahasimet afatgjate, thuhet nga profesionistë të fushës se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.

Ndryshe, në mbarë botën 425 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë. Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: trashëgimia, apo personat me histori familjare, moshat mbi 40 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, tensioni i lartë i gjakut, si dhe faktorë tjerë.

Diabeti njihet si sëmundje mjaft e shpeshtë dhe konsiderohet si sëmundja numër tre në botë. Për pasojë, ajo godet edhe disa nga organet vitale të njeriut, si veshkat, zemrën, të pamurit e të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG