Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen nga mesi janarit të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev, në debatin publik kushtuar amendamenteve që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e emrit me Greqinë.
Por, kreu u Qeverisë, gjithashtu, ka theksuar se amendamentet që kanë të bëjnë me ruajtjen identitetit maqedonas, të gjuhës dhe veçorive kulturore, kujdesin për shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit, si dhe preambulën, nuk do të bëhen pjesë e Kushtetutës, nëse marrëveshja si tërësi nuk kalon edhe në Parlamentin e Greqisë.
Ndërkohë, në debatin e parë, disa nga ekspertët kanë rekomanduar disa ndryshime sa i përket preambulës, në veçanti roli e bashkësive etnike në ndërtimin e shtetit
“Ne në preambulë duhet të kthejmë statusin e mëparshëm të pjesëve të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë që jetojnë këtu, pasi ata, që bashku me popullin maqedonas janë subjekt i përbashkët, apo se shteti është i tyre, pra është shtet i përbashkët i rregulluar me zgjidhje tjera ligjore. Vlerësoj se preambula duhet të nisë me formulimin, “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë, serb pjesë të popullit shqiptar...”, ka deklaruar profesori Vllado Popovski, historian dhe njohës i raporteve ndëretnike në Maqedoni.
Ndërkohë, Lubomir Fërçkovski, profesor në Fakultetin Juridik dhe një nga pjesëmarrësit në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë se formulimi që është bërë në përfshirjen e kësaj marrëveshjeje që i ka dhënë fund konfliktit të vitit 2001, nuk korrespondon me rrethanat historike. Ai ka thënë se nuk është kundër përfshirjen edhe të Marrëveshjes së Ohrit në preambulë, por jo në formën siç është propozuar.
“Nuk është kontestuese përfshirja e saj, pasi vërtet ka ndryshuar në mënyrë konstitutive, ka ndryshuar sistemin politik, e ka përforcuar atë e kështu me radhë. Kjo nuk është kontestuese, por si të bëhet formulimi. Ajo nuk mund të qëndrojë në formën e tashme apo në ngjarjet që e kanë përcjellë Maqedoninë deri në vitin 1991, kur dihet fakti se Marrëveshja e Ohrit është arritur në vitin 2001. Kjo duhet të ndryshohet pasi nuk ka logjikë që si ngjarje të përmendet në periudhat deri në pavarësinë e vendit”, ka thënë Fërçkovski.
Ai ka theksuar, gjithashtu, nevojën e ndryshimit të formulimit për kujdesit e shtetit për shtetasit që jetojnë jashtë vendit. Fërçkovski ka kërkuar që formulimi “kujdesi për popullin maqedonas”, të zëvendësohet me “kujdesi ndaj diasporës”, pasi me këtë do të përfshihen edhe bashkësitë e tjera etnike.
Lidhur me debatet për ndryshimet kushtetuese disa nga njohësit e çështjeve juridike kanë tërhequr vërejtjen për qasje selektive të pjesëmarrësve në tribuna. Mersim Maskuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese, thotë se në to nuk janë ftuar ekspertë juridikë, por persona të sferave tjera ndërsa sa i përket propozimeve për ndryshime në pozicionin e Marrëveshjes së Ohrit, ai thotë se kjo nuk duhet të ndodhëpasi ky dokument ka elemente të karakterit konstitutiv, dhe jo vetëm kaq. Maksuti thekson nevojën edhe të ndërhyrjeve tjera për të avancuar statusin juridik.
“Ne duhet të forcojmë këtë element, pasi Marrëveshja e Ohrit ka elemente të karakterit konstituiv, përbërës pa të cilën nuk është i mundur as ekzistimi i shtetit. Ky dokument hynë në vazhdën e elementeve ndërtues të shtetit. Me idenë për ndryshimin e pozicionit të janë, propozues synon të ulë karakterin e saj”, thotë Maksuti.
Miratimi me dy të tretat i ndryshimeve kushtetuese varet edhe nga procesi për amnistinë për ngjarjet e 27 prillit. Votat e tetë deputetëve të përjashtuar të VMRO-së opozitare, të cilët po gjykohen për dhunën në Kuvend, janë vendimtare, pasi votën në favor të ndryshimeve ata e kanë kushtëzuar me amnistinë për të gjithë personat e akuzuar për këtë ngjarje.
Marrëveshja me Greqinë është arritur më 17 qershor në Prespë dhe me të parashihet ndryshimi i emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut dhe zhbllokimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.