Ndërlidhjet

Maqedonia ‘ngufatet’ nga ndotja e ajrit


Ndotja e ajrit në Shkup. Fotografi nga arkivi
Ndotja e ajrit në Shkup. Fotografi nga arkivi

Ndotja e ajrit në Maqedoni ka arritur nivelet alarmante, para se gjithash në Shkup dhe Manastir, por edhe në disa qytete tjera ku grimcat e dëmshme PM10 kanë shkuar në mbi 400 mikrogramë për metër kub apo në mbi pesë herë mbi normat e lejuara.

Institucionet thonë se po bëjnë gjithçka për të përmirësuar gjendjen dhe se rezultatet janë evidente në krahasim me dy vjetët e fundit, megjithatë theksojnë se beteja me këtë problem do të jetë e vështirë dhe e dështuar pa një angazhim të përgjithshëm të të gjithë faktorëve në vend.

“Na pret një aksion i gjatë për përballje me ndotjen, respektivisht ndotësit e ajrit. Do të duhet kohë që të zgjidhet kjo gjendje, por duhet ta kemi të qartë se rezultate do të ketë vetëm nëse bashkohemi dhe i përkushtohemi me seriozitet këtij problem”, ka deklaruar Jani Makraduli, zëvendësministër i Ambientit Jetësor.

Maqedoni: Një djalë mban një pankartë në duar ku shkruan “Kur të rritem dua të marrë frymë”. Foto nga arkivi.
Maqedoni: Një djalë mban një pankartë në duar ku shkruan “Kur të rritem dua të marrë frymë”. Foto nga arkivi.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë, ka njoftuar se të paktën 43 mijë të sëmurë kronikë do të përfitojnë maska mbrojtëse pa pagesë për mbrojtje nga ndotja. Ministri Venko Filipce ka thënë se maska do të përfitojnë edhe fëmijët, por se ende është duke u punuar në caktimin e numrit dhe mënyrën e shpërndarjes së maskave.

Janë paralajmëruar edhe masa tjetër, si kufizime në komunikacion për makinat ndotëse apo vendosjen e etiketave në to varësisht ndotjes që bëjnë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika, në vitin 2017 në Maqedoni janë evidentuar rreth 403 mijë automjete, nga të cilat, rreth 340 mijë të vjetra më shumë se dhjetë vjet, apo mesatarja e vjetërsisë së tyre sillet në rreth 18 vjet.

Por, ekspertët thonë se ndalesat në komunikacion nuk janë masa të mjaftueshme për uljen e ndotjes. Aleksandra Dedinec, ekspert për energjetik dhe ambient jetësor pranë Akademisë së Shkencave, thotë se studimi i bërë nga ky institucion pret që të japë rezultate pas shtatë vjetësh.

Por, në kohën kur Shkupi dhe Tetova thithin ajrin më të ndotur në Evropë, ai thekson nevojën e ndërmarrjes së masave urgjente që duhet të zbusin gjendjen.

“Si masa afatshkurtra që duhet të ndërmerren janë përdorimi i transportit publik, të bëhet përpjekje për kontrollin e ngrohjes së amvisërive, uljen e temperaturave për ngrohje, si dhe të mos përdoren aparatet me karburant apo naftë për pastrimin e rrugëve, që po e vështirësojnë edhe më shumë gjendjen në ditët me ndotje të rëndë”, thotë Dedinec.

Edhe Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike “EkoGuerila” thotë se pa një seriozitet të institucioneve nuk mund të priten rezultate konkrete.

“Masat të cilat prezantohen para publikut si masa për parandalimin e ndotjes nuk janë të mjaftueshme si të tilla, pasi kryesisht janë masa me ndikim shumë të dobët apo më tepër si masa kozmetike. Deri në momentin kur nuk ka masa radikale, deri në momentin kur fabrikat në Shkup dhe rajone tjera të vendit, përfshirë këtu dhe termocentralet, vazhdojnë të ndotin me kapacitet të plotë, nuk besoj se do të ketë përmirësim”, thotë Xhaferi duke fajësuar edhe inspektorët e ambientit, por edhe të shërbimeve tjera, se fare nuk duken në terren në këtë situatë të ndjeshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për ambient, në Maqedoni rreth 3 mijë persona vdesin në vit edhe për shkak të komplikimeve plotësuese mbi shëndetin apo sëmundjet e tyre që po ua shkakton ndotja e ajrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG