Çështja për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian për Kosovën, sipas zyrtarëve të Qeverisë se Kosovës, nuk është futur as kësaj radhe në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, që do të mbahet më 6 dhe 7 dhjetor të këtij viti.
Kjo sipas tyre, ka ndodhur pas skepticizmit të shprehur nga vende të caktuara anëtare të Bashkimit Evropian, për një vendim pozitiv për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave.
Në anën tjetër, njohës të integrimeve evropiane dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, mendojnë se siç po ecin punët, çështja e liberalizimit për Kosovën do të shtyhet deri në vitin 2020.
Jehona Lushaku - Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mospërfshirja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së lë të kuptohet që i gjithë procesi dhe vendimi final mund të shtyhet për vitin 2020.
Zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, andaj sipas Lushakut, vështirë se mund të merret një vendim pozitiv për liberalizim të vizave gjatë vitit 2019.
“Mos të harrojmë se shtetet janë duke pasur vështirësi dhe mungesë të vullnetit politik për të shtyrë këtë çështje përpara, sepse ajo do të ketë ndikim pastaj në rezultatin e zgjedhjeve të tyre dhe këto pasoja do t’i bartim edhe në muajt e vitit 2019, kështu që kjo punë do të shtyhet siç duket deri në vitin 2020”, tha Lushaku.
Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të këtij viti, ndërkaq, votimi në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator.
Lushaku – Sadriu thotë se kjo është baza kryesore që duhet të vlerësojnë shtetet anëtare të BE-së.
Por, siç thotë ajo, shtetet kanë përfaqësitë e tyre dhe vlerësimet individuale sa i përket plotësimit të kushteve, që kanë të bëjnë për luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit, të cilat kanë qenë kriteret e fundit për plotësim në procesin e liberalizimit. Kështu që shtetet gëzojnë të drejtën e vetos për të bllokuar këtë proces në momentin që ato nuk janë të bindura se Kosova i ka plotësuar këto kritere.
“Prandaj, po e shohim se kjo mungesë e vullnetit ka një bazë të vlerësimit individual të secilit shtet dhe pastaj duhet të vlerësohet po ashtu që meqë ka zgjedhje në Bashkimin Evropian, secili shtet i bën kalkulimet politike se çfarë do të mund të sillte vendimi pozitiv i liberalizimit të vizave, ndikim në zhvillimet e tyre të brendshme dhe në zgjedhjet për Bashkimin Evropian” tha Lushaku.
Në votimin e fundit për liberalizim të vizave për Kosovën është parë hezitim nga Gjermania, Franca dhe Holanda, por ky numër i shteteve sipas ekspertëve të kësaj fushe, tani ka kaluar në 10 apo 12 shtete.
Hezitimi i BE-së për të vendosur një perspektivë të qartë në lidhje me liberalizimin e vizave, ka nxitur reagime jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe ministrave.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se nuk duhet të ketë kompromis në të drejtën për të pasur sovranitet, integritet, për të lëvizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrin zyrtarët e vendit. Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se “taksa 100 për qind do të vazhdojë derisa nuk ka njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja”.
Kurse përmes një komunikate për media, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) ka dhënë disa shpjegime, që sipas këtij Instituti tregojnë procedurën pse çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së me 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian.
“Në këtë drejtim, neni 294 specifikon se në leximin e parë Parlamenti Evropian do të miratojë qëndrimin e tij me shumicë të thjeshtë dhe do t'ia komunikojë atë Këshillit. Më pastaj, Këshilli miraton qëndrimin e tij me shumicën e dyfishtë që nënkupton 55 për qind të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë dhe akti legjislativ në fjalë miratohet në formën që korrespondon me pozitën e Parlamentit Evropian”, theksohet në komunikatë.
“Akti legjislativ hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së. Prandaj, duke marr për bazë Traktatin për Funksionimin e BE-së, neni 294, Instituti EPIK konfirmon se çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së me 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian – gjë që është e pamundur të ndodh gjatë kësaj jave”, thekson Instituti EPIK.
Përfaqësuesit e disa organizatave nga shoqëria civile, në ditën e vizitës së komisionarit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn në Prishtinë, kishin vendosur një pankartë përballë Zyrës së BE-së ku shkruhej “Mirë se erdhe në Kosovë, Hahn! Ne jemi për reciprocitet, kështu që ju duhet viza që të hyni në Kosovë. Për një vizë, ju duhen 45 dokumente të ndryshme dhe 35 euro (tarifa e vizës).
Ndryshe, Kosova mbetet e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave.