Ndërlidhjet

Një skandal tjetër përgjimesh në Maqedoni


Ndërtesa e Prokurorisë Publike të Maqedonisë. Foto nga arkivi.
Ndërtesa e Prokurorisë Publike të Maqedonisë. Foto nga arkivi.

Përgjimet e kryera në organet gjyqësore dëshmojnë se krimi në Maqedoni ka përfshirë çdo hallkë të sistemit dhe se askush nuk mund të ndjehet i sigurt apo se privatësia e çdokujt mund të shkelet në çdo kohë, thonë njohësit e çështjeve juridike, duke komentuar atë që po konsiderohet si skandal i ri me përgjimet, respektivisht bisedat e përgjuara në Prokurorinë Publike, por edhe në gjykata.

“Është një indikacion se sistemi gjyqësor, por edhe institucionet tjera, akoma nuk janë të shëruara dhe se nuk mund të sigurojnë as veten e tyre e mos të flasin për të drejtat e qytetarëve. Ato institucione që duhet të jenë të fuqishme dhe të sigurojnë qytetarët dhe opinionin publik, pikërisht këto institucione janë të cenuara dhe realisht kjo do të thotë se Maqedonia është në një situatë të ngufatur, mbizotëron një pasiguri e përgjithshme, një terror psikologjik që po u bëhet qytetarëve”, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.

Skandali është publikuar të premten nga kryeprokurori, Lubomir Jovevski, i cili tha se në rrjedhë janë hetimet për atë se kush dhe për çfarë qëllimesh ka përgjuar bisedat e bëra në godinën e Prokurorisë, që nga shtatori i vitit 2016. Përgjimet e bisedave mes punonjësve të organit të akuzës janë regjistruar përmes centralit të telefonisë fikse në Prokurori.

Përgjegjësinë për këtë skandal, profesor Selmani, ia hedh Qeverisë, e cila sipas tij, nuk ka arritur ende të zbardhë apo të hetojë të gjithë skandalet e Qeverisë së kaluar dhe jo vetëm kaq, me veprimet e fundit, siç thotë ai, edhe kjo Qeveria aktuale po ndjek rrugën e asaj të kaluarës.

“Është një dështim i radhës i kësaj Qeverie e cila nuk arriti që të zbardhë këtë situatë. Ajo më tepër është e përqendruar në falje dhe amnisti, e këto nënkuptojnë se krimet përsëriten dhe me këtë po përsëritet edhe e keqja në Maqedoni. E gjithë kjo është pasojë e mosardhjes së autorëve të krimit në përgjithësi”, thotë Selmani.

Ende nuk dihet se sa persona janë përgjuar në Prokurori apo nëse përgjimet kanë dalë në opinion dhe pse kryeministri Zoran Zaev tha të dielën se beson se skandali është zbuluar me kohë dhe se materialet nuk kanë arritur të dalin nga Prokuroria. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska thotë se organet e ndjekjes po punojnë intensivisht për hetimin e rastit.

“I gjithë dokumentacioni që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do t’i dorëzohen organeve përgjegjëse dhe në pas procedurës hetimore do të shihet se te cili organ do të kërkohet përgjegjësia. Detaje tjera për momentin nuk mund të japim, por dua të theksoj edhe atë se të gjithë specifikat teknike që janë kërkuar për aparaturën janë publike dhe mund të kontrollohen në byronë për furnizime publike”, është shprehur ministrja Deskoska.

Nga opozita, për këtë rast fajësojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të saj, Oliver Spasovski.

“Kur Oliver Spasovski përfundimisht do të japë dorëheqje për përgjimin e paligjshëm të prokurorëve publikë dhe të institucioneve tjera në dy vitet e fundit. Gjithashtu pyesin MPB-në nëse gjithçka që për momentin po dëgjohet dhe përgjohet po bëhet ilegalisht dhe a është duke funksionuar sistemi legal për ndjekjen e komunikimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Rasti me përgjimet në Prokurori nuk është i fundit. Maqedonia pothuajse qe katër vjet po përballet me pasojat e aferës së përgjimeve të publikuar në shkurt të vitit 2015 nga LSDM-ja, e cila atë kohë ishte në opozitë.

Kjo aferë që zbuloi keqpërdorime të shumta të drejtuesve më të lartë shtetërorë kishte çuar Maqedoninë në krizë të rëndë politike e tensione të shumta, e deri në rënien e Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil në Hungari pas arratisjes nga vuajta e një dënimi me dy vjet burgim. Ai dhe shumë bashkëpunëtor të tij të afërt po gjykohen në disa procese gjyqësore për vepra të rënda penale, si mashtrime zgjedhore, keqpërdorime financiare, presione ndaj gjyqësorit e dhunë të ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG