Ndërlidhjet

Haradinaj: Tarifa do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se tarifa e vendosur ndaj Serbisë, do të mbetet aq gjatë në fuqi, derisa të dyja vendet të merren vesh për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për njohje të ndërsjellë.

“Ky vendim sado që po vlerësohet si kalkulim ditor, planifikoni se mund të mbetet shumë gjatë, aq gjatë sa nuk do të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të ndodhë një marrëveshje e përgjithshme midis dy vendeve. Është pjesë e pakos përfundimtare të marrëveshjes së njohjes Kosovë – Serbi”, iu tha Haradinaj prodhuesve kosovarë gjatë Konventës së parë që e mbajtën të enjten në Prishtinë.

Megjithatë, ai tha se kjo tarifë, nuk është bërë kundër serbëve të Kosovës përderisa iu bëri thirrje institucioneve që të ndihmojnë banorët serb në veri dhe jug të vendit në furnizime.

“Të bëjmë kujdes për serbët e Kosovës. T’i furnizojmë edhe në veri edhe në jug. Dogana të respektojë një të drejtë ligjore që deri 175 euro blerje personale nuk kanë tarifë. E nëse serbët furnizohen për familjet e veta në brezin kufitar, të mos pengohen. E kemi liruar po ashtu edhe Kishën për blerje”, tha Haradinaj.

Kryeministri iu tha prodhuesve kosovarë të mos e keqpërdorin këtë tarifë dhe të mos ngrisin çmimet e produkteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës të shfuqizojë tarifën ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina..

Po ashtu, autoritetet në Beograd, pas vendosjes së kësaj tarife, alarmuan për një krizë të mundshme humanitare në veri të Kosovës dhe lokalitetet tjera ku banojnë komuniteti serb.

Katër kryetarët e komunave serbe në veri, dhanë dorëheqje dhe ndërprenë çdo komunikim me institucionet në Prishtinë derisa të shfuqizohet tarifa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG