Ndërlidhjet

Zgjedhjet e reja në komunat veriore, një “mision i pamundur”


Veriu i Mitrovicës
Veriu i Mitrovicës

Katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, nga dita e martë kanë mbetur pa kryetarë, pasi që ata dhanë dorëheqje, si kundërpërgjigjeje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia.

Me dorëheqjet e tyre, kryetarët e komunave, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ligjërisht i dërgojnë këto komuna në zgjedhje të jashtëzakonshme, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, thuhet se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës”.

Zgjedhjet shpallen jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes, kurse duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.

Sipas ligjit, vetëm Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.

Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, tha për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet dhe gjëra të ngjashme, për momentin nuk i interesojnë. Në qoftë se dikush në Prishtinë planifikon të bëjë çfarëdo veprimi, Simiq u shpreh se së pari duhet ta tërheqim vendimin e tyre.

“Në këtë moment Lista Serbe qëndron guximshëm me popullin e saj, të cilin dikush nga Prishtina po provon që, përmes ndalimit të hyrjes së mallit nga Serbia, t'i fusë ata në geto. Pra, absolutisht nuk na interesojnë kurrëfarë aktivitetesh të institucioneve të Kosovës. Ju përkujtoj se, që nga dita e djeshme (e martë), komunat sipas sistemit të Kosovës, me vendimin e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë, më nuk ekzistojnë”, tha Simiq.

Nisur nga pozicioni i Listës Serbe e cila është subjekti më i fuqishëm politik në veri, mbajtja e zgjedhjeve në këto komuna vlerësohet si proces i ndërlikuar. Përfaqësues të organizatave joqeveritare, thonë se dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave ishin me motive politike, andaj, sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme atje, tash për tash mund të konsiderohet si mision i pamundur.

Kryetarët e dorëhequr kanë thënë se “funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar” në veri të Kosovës.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata politike në atë pjesë e vështirëson organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Asnjëherë organizimi i zgjedhjeve në atë pjesë nuk ka qenë i lehtë për KQZ-në dhe Kosovën si shtet, e lërë më tani duke marrë parasysh edhe situatën politike dhe acarimet e vazhdueshme që kanë ndodhur kohëve të fundit”.

“Pra, do të jetë një mision i pamundur ose një mision që edhe nëse ndodh do të ketë telashe, pasi nuk do të ketë kandidat të mjaftueshëm, mund të bojkotohen këto zgjedhje prej subjekteve politike serbe, ose procesi mund të karakterizohet me probleme dhe telashe të mëdha”, tha Murati.

Por, edhe nëse subjektet e atjeshme politike, më konkretisht Lista Serbe do të pajtohej më një proces të ri zgjedhor, në Prishtinë është edhe një problem teknik, por që e pamundëson tash për tash nisjen e procedurave zgjedhore, thotë Isuf Zejna nga Demokracia Plus, duke rikujtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është funksional, pasi që anëtarëve u ka skaduar mandati.

“Situata duket të jetë shumë e ndërlikuar për shkak se ky është një problem politik, nuk është një ofrim i dorëheqjes së zakonshme të kryetarit të komunës. Është një reagim politik i komunave veriore. Në anën tjetër kemi një KQZ që është jofunksionale dhe presim të shohim se çka do të ndërmerret, a do të përshpejtojë Gjykata Kushtetuese punën e saj ose të gjenden forma tjera se si do të veprohet në këtë rast”, tha Zejna për Radion Evropa e Lirë.

Anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ka skaduar mandati kurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka mandatin e emërimit, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sipas ligjeve në fuqi, mandati i kryetarit të porsazgjedhur përfundon në datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që ai/ajo e zëvendëson.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG