Ministria e Brendshme e Serbisë tha se policia, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar M.R. në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore.
"Policia ka marrë deklaratë nga M.R. në përputhje me kërkesën për të mbledhur informacionet e nevojshme për hetimet e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Prokurori special i Kosovës, Sylë Hoxha, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Kosovë janë në kërkim të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, për rastin Ivanoviq.
Policia e Kosovës ka arrestuar të premten në veri të Mitrovicës tre persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, të cilëve më pas u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Millan Radoiçiq nuk ka qenë në banesën e tij gjatë këtij aksioni policor.
Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe - parti politike në Kosovë - ka deklaruar të dielën se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe se nuk do t'iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.
Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia.