Ndërlidhjet

Taksa imponon fuqizimin e prodhimeve ‘Made in Kosova’


Ilustrim
Ilustrim

Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përfaqësues të biznesit kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që t'i subvencionojnë prodhuesit vendorë në mënyrë që këta të fundit ta rrisin prodhimin.

Që Kosova të arrijë të ketë një sektor më të qëndrueshëm dhe më të fuqizuar të prodhimit, ata kërkojnë politika fiskale më të favorshme për bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç subvencioneve për sektorin e prodhimit, duhet edhe një strategji afatgjate që trajton politikat ekonomike - prodhuese.

“Kosovës i duhen politika që trajtojnë se çka mund të zëvendësohet nga importi dhe në anën tjetër, cilat produkte mund t’i zhvillojmë si produkte konkurruese në tregun tonë, por edhe në tregjet e tjera. Kjo ka munguar sepse nuk ka pasur një qasje konsistente në raport të përkrahjes së konkurrueshmërisë së prodhimeve vendore. Kemi pasur shumë herë masa ad- hoc që kanë pasur efekte pozitive, por edhe negative, por nuk ka pasur një politikë të harmonizuar”, thekson Rukiqi.

Kosovës, shton Rukiqi, i duhet një industri prodhuese. Sipas tij, sektorin e prodhimit në Kosovë do ta fuqizonte eliminimi i konkurrencës së padrejtë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe përkrahja financiare në forma të ndryshme.

"Shumë biznese prodhuese kanë potencial, por ka edhe kompani tjera që ka në mundësi të zhvillohen, mirëpo këtu prodhuesit duhet të mbrohen jo në kuptimin ndoshta që të kemi vetëm kontrollin e importit, por edhe brenda tregut të brendshëm që të mos ketë praktika të padrejta tregtare, mos të ketë konkurrencë jo fer dhe të ketë një qasje reciproke me vendet të cilat tregtojnë me vendin tonë”, thotë Rukiqi.

Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë duke lënë anash prodhimin. Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të fuqizuar sektorin e prodhimit

​Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë janë duke krijuar politika fiskale që ndihmojnë sektorin e prodhimit.

“Ne kemi aplikuar nga janari dhe kemi forcuar gjatë vitit disa politika fiskale që favorizojnë prodhimin. Kemi liruar lëndën e parë nga të gjitha ngarkesat fiskale. Ne e dimë që shteti duhet të jetë edhe në shërbim të prodhuesve, edhe të qytetarëve. Do t’i evidentojmë në mënyrë permanente problemet që paraqiten pas kësaj mase dhe do të marrim masa dhe do t’i lehtësojmë bizneset që të zhvillojnë afarizimin në veçanti ato prodhuese’’, thotë Shatri.

Ai shton se taksa doganore për 100 për qind për importet e produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, do t'i fuqizojë prodhuesit vendorë.

“Konkurrenca e padrejtë që ka bërë Serbia, duke i subvencionuar mallrat serbe që i shet në Kosovë, tani ajo konkurrencë nuk do të jetë në tregun e brendshëm dhe prodhuesit tanë do të jenë në pozitë të favorshme”, thotë Shatri.

* Video e postuar në llogarinë zyrtare në Facebook të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala

Ndërkohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovona, ka kërkuar nga prodhuesit që të fokusohen në ngritjen e cilësisë.

“Të nderuar prodhues, kërkoj nga ju të fokusoheni në cilësi. Produktet duhet të arrijnë cilësinë e standardit më të lartë, në mënyrë që konsumatori-qytetari i Republikës të Kosovës, mos të ketë asnjë mëdyshje në përzgjedhjen e konsumit të tyre ditor. Të nderuar tregtarë, le të bashkohemi dhe të bëjmë zgjidhje kreative. Ta hulumtojmë tregun së bashku dhe të gjejmë vende tjera për të bashkëpunuar. Rritja e eksportit të produkteve dhe jo të mirave materiale, duhet të bëhet prioritet”, ka theksuar ministri Shala.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.

Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG