Ndërlidhjet

Kosova rrit taksën doganore për Serbinë dhe Bosnjën në 100 për qind


Foto nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.
Foto nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Vendosja e kësaj takse ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini e cila ka kërkuar nga Kosova të shfuqizojë menjëherë këtë vendim.

Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Taksa e re doganore prej 100 për qind, sipas disa prej zyrtarëve në Prishtinë, mund të kuptohet edhe si një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe të gjitha institucionet obligohen që ta zbatojnë atë.

Haradinaj e ka arsyetuar taksën me shkeljet, siç ka thënë ai që Serbia i ka bërë Marrëveshjes për Tregti të Lirë - CEFTA.

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardhur nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, me qëllim, siç thotë ai, për të “fuqizuar prodhuesit vendorë” dhe ekonominë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një postim në rrjetet sociale ka thënë se vendimi i ri i të mërkurës, bëhet për të mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.

“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke minuar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë vital, Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të publikohen se shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet me ambasadorët e Bashkimit Evropian, Kinës dhe Rusisë, dhe Qunt-it, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për të rritur taksën ndaj mallrave serbe për 100 për qind.

Takimin e Vuçiqit me përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë konfirmuar për Radio Evropa e Lirë nga zyra për media e presidentit serb.

Në reagimin e parë pas vendimit për taksën, ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq tha për Radion Evropa e Lirë se “pas veprimit të Kosovës, Marrëveshja për tregti të lirë në Ballkanin Perëndimor- CEFTA, më nuk ekziston”.

“Ky është një veprim i pastër politik dhe joekonomik apo tregtar”, tha Lajiq.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të tërheqë vendimin për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja.

Përmes një deklarate për media, ajo tha se ky vendim është shkelje e CEFTA-s dhe MSA-së.

“Vendimi i sotëm nga Qeveria e Kosovës për të rritur taksën ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja në 100 për qind është qartazi shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kjo më tej përkeqëson situatën pas taksës fillestare prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë menjëherë këto vendime”, tha Mogherini përmes një deklarate për media.

Pas vendimit të Qeverisë për rritjen e taksës në 100 për qind, ka reaguar përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Zahir Tanin, i cili njëherësh është shef i UNMIK-ut.

Përmes një deklarate për media ai tha se shpreh shqetësim “lidhur me ndikimin potencial që mund të ketë për njerëzit e Kosovës, por edhe implikimet politike që mund të ketë (vendosja e taksës) në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”.

“U bëjmë thirrje liderëve politikë që të kenë parasysh interesat afatgjatë të njerëzve dhe domosdoshmërinë fundametale për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, tha përmes një deklarate Tanin.

Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës deri në 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës.

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) iu bënë thirrje bizneseve importuese që të orientohen nga vendet mike të Kosovës, për zëvendësim të këtyre produkteve.

Po ashtu AKB-ja kërkon edhe nga bizneset vendore prodhues që të rrisin kapacitetet e veta për të furnizuar konsumatorin pa e ndier mungesën e zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia me ato “Made in Kosova”.

“Taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës është një vendim i guximshëm ndaj Serbisë, por edhe hakmarrës i drejtpërdrejt për bllokadat e vazhdueshme që Serbia po i bënë politikisht dhe ekonomikisht Kosovës edhe pse ekziston një marrëveshje në Bruksel që Serbia është pajtuar që Kosovën mos ta pengojë në rrugëtimin e vet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtare. Kjo taksë nënkupton thirrjen e ndërgjegjes tonë popullore për bojkot të prodhimeve të Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga AKB.

Në anën tjetër, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha se vendim i ri për ngritjen në 100 për qind të taksës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës tregon mungesë të të kuptuarit të ekonomisë dhe interesave të kompanive kosovare.

“Kjo do t’i kushtojë dëmtime të rënda ekonomisë kosovare. Duhet të kuptoni se shumica e lëndëve të para për industrinë e përpunimit vjen nga Serbia. Ky është vendim politik i palogjikshëm, por duket se jetojmë në kohë të tilla ku dikush merr vendime përmes të cilave i dëmton edhe kompanitë e veta edhe bashkëpunimin rajonal dhe tërë atë që do duhej të ishte normalizim dhe stabilizim i tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Çadezh për Radion Evropa e Lirë.

“Në anën tjetër, të shohim se sa do të zgjasë ky vendim. E kemi parë kur u morr vendimi për taksën 10 për qind sesi çmimet e ushqimit u ngriten 10 për qind në Kosovë. Le të presim tash dhe të shohim se a do të kthehen politikanët në një terren me logjik”, tha tutje ai.

Pas vendimit për rritjen e taksës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, ka reaguar Oda Ekonomike e Bosnjë dhe Hercegovicës.

Kreu i kësaj ode, Nemanja Vasiq tha se ky vendim është politik.

“Ky është një reagim lidhur me atë që ka ndodhur në INTERPOL. Kosova nuk mund ta këtë shumë gjatë sepse do ta mbyll vetën ndaj të gjithë proceseve evropiane. Kam frikë se do të mbesin të izoluar sepse së paku vendet e CEFTA-s e kanë pranuar të zbatojnë këtë marrëveshje për tregti të lirë sepse është një treg prej 30 milionësh”, tha ai.

​Serbia është importuesi më i madh në Kosovë i pothuajse të gjitha produkteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG