Ndërlidhjet

Festime në Mitrovicën e Veriut pas mospranimit të Kosovës në INTERPOL


Pamja nga Mitrovica e Veriut duke festuar mospranimin e Kosovës në Interpol.
Pamja nga Mitrovica e Veriut duke festuar mospranimin e Kosovës në Interpol.

Qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut kanë festuar mospranimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

Disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut janë parë të kenë festuar, teksa kanë parakaluar me makinat e tyre, ku kanë vendosur flamujt kombëtar serb.

Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL, pasi nuk arriti që t’i sigurojë dy të tretat e votave, sa ishin të nevojshme për pranimin në këtë organizatë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që u mbajt të martën në Dubai, në raundin e parë të votimeve, Kosova arriti të marrë 76 vota për, 56 votuan kundër, ndërkaq, 22 abstenuan. Ndërkaq, në raundin e dytë të votimeve, Kosova siguroi 68 vota për, 51 kundër dhe 16 shtete abstenuan.

Zyrtarët në Prishtinë, lidhur me mospranimin e Kosovës në këtë mekanizëm fajësuan “fushatën e egër” të zhvilluar nga Beogradi zyrtar kundër pranimit të Kosovës.

Që nga viti 2010, Kosova ka tentuar që të anëtarësohet në INTERPOL, por atë vit, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Vitin e kaluar, më 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG