Ndërlidhjet

Bie importi nga Serbia e Bosnja, rriten të hyrat për 300 mijë euro


Pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Foto nga arkivi.
Pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Foto nga arkivi.

Që nga aplikimi i taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Dogana e Kosovës ka arritur të grumbullojë rreth 300 mijë euro më shumë.

Këto të dhëna i bëjnë të ditura për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Doganave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës një javë më parë ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja. Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Drejtori i Doganave të Kosovës Bahri Berisha i tha Radios Evropa e Lirë se ka pasur rënie të import prej 50 për qind nga dy vendet - Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Krahasimi është bërë një javë para vendimi dhe një javë pas vendimit. Dhe kjo tregon se një javë para vendimit kemi pasur rreth 7 milionë euro produkte të importuara nga këto dy vende,Serbia dhe Bosnja, ndërsa në 6 ditët tjera, pra pas hyrjes në fuqi të vendimit, kemi pasur 3.5 milionë euro importe nga të dy vendet. Derisa nga taksa mbrojtjese prej 10 per qind kemi mbledhur 300 mije euro”, thekson Berisha.

Megjithatë, ai shton se të dhëna më të sakta rreth luhatjes së importeve nga këto dy shtete, autoritetet e Kosovës do të kenë pas një periudhe tri javore.

Importet nga Serbia “lehtë zëvendësohen”

Në anën tjetër, një pjesë e madhe e kompanive prodhuese në Kosovë lëndën e parë e importojnë nga Serbia, në raste edhe nga Bosnja e Hercegovina.

Lidhur me këtë, përfaqësues të kompanive prodhuese në Kosovë thonë se ky import mund të zëvendësohet nga shtetet tjera, por që se janë në pritje që Serbia që të reflektojë.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha thotë për Radion Evropa e Lirë se si organizatë e prodhuesve kanë pasur parasysh se kjo taksë mund të ketë pasoja edhe për sektorin e prodhimit.

Por, që siç thotë ai, prodhuesit janë njoftuar dhe se janë duke punuar në atë drejtim që të gjejnë alternativa të tjera për importin e lëndës së parë.

“Nëse kishim të bëjmë me derivatet e naftës, atëherë do të ishte e vështirë të zëvendësohen, por shumica e lëndës së parë është lehtë e zëvendësueshme, ndoshta merr pak kohë pasi që lidhjet e reja tregtare nuk mund të ndryshohen apo krijohen brenda një periudhe të shkurtër, por ne po shpresojmë që Serbia do të reflektojë, do ta ndryshojë qasjen ndaj sektorit ekonomik të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë që të rrisim eksportin në Serbi. Për neve është me rëndësi që tregu i Serbisë të jetë i hapur për kompanitë e Kosovës. Ne nuk jemi për bllokada, bllokadat janë duke u imponuar nga Serbia, ne vetëm e kemi përkrahur vendimin e Qeverisë që është një masë reciprociteti”, thotë Panxha.

Ai shton se edhe produktet finale që janë importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë lehtë të zëvendësueshme me produktet nga vendet e rajonit apo Bashkimi Evropian.

Një produkt serb në një dyqan në Prishtinë
Një produkt serb në një dyqan në Prishtinë

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importuesi më i madh në Kosovë i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Vetëm vitin e kaluar rreth 450 milionë euro është vlera e produkteve të importuara nga ky shtet. Kurse, 48 milionë euro është shuma e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë.

Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjë Hercegovinës vitin e kaluar ka qenë 81 milionë euro, ndërkaq vlera e produkteve të Kosovës të eksportuara në këtë shtete është 8.7 milionë euro.

A do të ketë rritje të çmimeve?

Sa i përket rritjes eventuale të çmimeve nga taksa 10 për qind e produkteve, Panxha thekson se nuk vërehet ndonjë lëvizje e çmimeve në treg.

Megjithatë, për të parë më saktë ndikimin e taksës në lëvizjen e çmimeve mund të shihet pas publikimit të indeksimit të çmimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat për muajin nëntor publikohen në dhjetor.

“Nëse ka pasur ndryshim i çmimeve në treg është spekulim i tregtarëve. Numri i madh i prodhuesve kanë deklaruar se nuk do t’i ngritin çmimet. Tani është edhe sezon edhe e vitit të ri kur ka rritej të konsumit. Kështu që, ne duhet të përcjellim, por është herët të deklarohemi në këtë aspekt. Rritja e çmimeve do të ndodhë vetëm nëse abuzohet nga tregtarët”, thekson Panxha.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë.

Ndërkaq, arsyet e vendosjes së kësaj mase, sipas Qeverisë së Kosovës, janë ekonomike dhe politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG