Ndërlidhjet

Nivel i lartë i ndotjes së ajrit në Maqedoni


Shkup, dhejtor, 2017
Shkup, dhejtor, 2017

Ditëve të fundit, Shkupi dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë janë radhitur në mesin e vendeve më të ndotura në botë, sa i përket ndotjes së ajrit, duke thyer edhe rekordet e shënuara në vendet evropiane dhe botërore.

Madje të dhënat nga stacionet e Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, sa i përket matjes së cilësisë së ajrit, në një qendrën matëse kryeqytetin e Maqedonisë në udhëkryq mes Universitetit të Shkupit dhe kompleksit të gjykatave, ka treguar se niveli i grimcave PM10 gjatë këtyre ditëve ka arritur disa shkallë më lartë sesa masa e lejuar.

Ndotja e ajrit, mbi nivelin e lejuar, është regjistruar edhe në Kumanovë, Manastir, dhe disa qytete të tjera.

Kufiri i lejuar i grimcave PM10 është 30 mikrogramë për metër kub.

Fotografi e bërë nga mali Vodno, ku shfaqen disa prej ndërtesave më të larta në Shkup, të cilat gjenden mbi re në disa prej zonave me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit. 15 dhjetor, 2017
Fotografi e bërë nga mali Vodno, ku shfaqen disa prej ndërtesave më të larta në Shkup, të cilat gjenden mbi re në disa prej zonave me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit. 15 dhjetor, 2017

Arianit Xhaferi, nga organizata për mbrojtjen e ambientit Eko Guerila për Radion Evropa e Lirë thotë se menjëherë me pas rënies së temperaturave dhe fillimit të sezonit të ngrohjes, rritet dukshëm niveli i ndotjes së ajrit dhe si zgjidhje ai e sheh gazifikimin me urgjencë të qyteteve të cilat janë më të ndotura në Maqedoni si Shkupi, Tetova dhe Manastiri dhe ndërmarrjen e një varg masave rigoroze.

“Problemet me ndotjen e ajrit në vjeshtë dhe gjatë dimrit kryesisht vijnë nga ngrohja e amvisërive me dru, qymyr apo lëndë tjera djegëse, siç është goma dhe plastika. Masat që po ndërmarrin institucionet përgjegjëse janë masa kozmetike, pra do të thosha më shumë masa deklarative apo të shkruara në letër sesa që ata në të vërtet zbatohen në funksion të ndotjes së ajrit. Për të ulur ndotjen, disa herë kemi theksuar se duhet të ndërmerren masa më radikale, duke filluar me gazifikimin e qyteteve më të mëdha të cilat janë të prekura nga ndotja”, thotë Xhaferi.

Shtëpitë e shëndetit raportojnë se gjatë sezonit të ngrohjes rritet për 80 për qind numri i pacientëve që kanë ndezje në organet e frymëmarrjes.

Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, thonë se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për problemet që shkakton ajri i ndotur.

Makinat konsiderohen si një prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit.
Makinat konsiderohen si një prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit.

Nevena Smillevska nga organizata joqeveritarë Eko Svest (Eko Vetëdija) për Radion Evropa e Lirë thotë se nevojitet një fushatë më e gjerë për vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat nga ajri i ndotur,por edhe atë se kush kontribuon më së shumti për ndotjen e ajrit dhe pas kësaj, duhet të bëhet presion ndaj institucioneve përkatëse, në mënyrë që të ndryshohet kjo gjendje.

“Heshtja e qytetarëve ndihmon që ndotësit më të mëdhenj të ajrit të vazhdojnë të pasurohen, duke realizuar biznesin e tyre pa përmbushur standardet. Pastaj, edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen se çdo lëvizje me makinë, sidomos në kryeqendër, ndikon që të rritet niveli i ndotjes. Duhet të bëhet presion që trafiku urban të jetë më efikas, me krosi të veçanta dhe me kosto më të ulët. në mënyrë që askush mos ketë leverdi të lëvizë me makinë”.

“Njëherësh mediat besoj se duhet të fokusohen më shumë në problemet me ndotjen e ajrit, si çështje që duhet zgjidhur me urgjencë dhe jo në fokus të kenë politikën, sepse presioni medial është shumë i rëndësishëm sa i përket asaj që institucionet t’u përgjigjen obligimeve ligjore, sa i përket mbrojtjes së ambientit jetësor”, thotë Smillevska.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore, që janë publikuar kohë më parë, në Maqedoni brenda vitit vdesin mbi 1 mijë e 300 persona si pasojë e ajrit të ndotur.

Maqedoni: Një djalë mban një pankartë në duar ku shkruan “Kur të rritem dua të marrë frymë”. Foto nga arkivi.
Maqedoni: Një djalë mban një pankartë në duar ku shkruan “Kur të rritem dua të marrë frymë”. Foto nga arkivi.

Sa i përket ndotjes së ajrit, përpos organizatave joqeveritare kanë reaguar partitë politike në opozitë, veçmas VMRO-DPMNE-ja e cila ka theksuar se drejtuesit e Shkupit nuk po kryejnë obligimet ligjore sa i përket mbrojtjes së ambientit, duke bërë që Shkupi të radhitet në top dhjetëshen e qyteteve më të ndotura në botë.

Por, as kësaj eshët përgjigjur bashkia e Shkupit, sipas së cilës po punohet në mënyrë sistematike në zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit, përmes zbatimit të aktiviteteve të përcaktuara me planin për përmirësimin e cilësisë së ajrit, plan ky, siç thonë, mbulon 53 masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, ku bën pjesë dhe subvencionimi i atyre amvisërive që do të ngrohen me peletë, ose subvencionimin e pastrimit të oxhaqeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG