Ndërlidhjet

Turqia thotë se ka ndarë regjistrime të vdekjes së Khashoggit


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia thotë se ka ndarë regjistrime lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, sauditët dhe të tjerët.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Arabia Saudite e di se kush e ka vrarë gazetarin saudit, Khashoggi.

Mediat turke kishin raportuar më herët se Turqia ka audio-incizime që dëshmojnë se Khashoggi është torturuar përpara se të vritet.

“Ne i kemi incizimet, ua kemi dhënë Arabisë Saudite, Uashingtonit, Gjermanisë, Francës dhe Anglisë”, tha sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ata i kanë dëgjuar bisedat që kanë ndodhur, ata e dinë”, tha Erdogan gjatë një adresimi televiziv.

Asnjë shtet deri më tani nuk ka pranuar se ka dëgjuar incizime lidhur me rastin Khashoggi.

Khashoggi, një kritik i familjes mbretërore saudite, u vra brenda konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor.

Arabia Saudite ka pranuar se ai është vrarë në konsullatë, por ka mohuar çdo përfshirje të familjes mbretërore në këtë rast.

Fillimisht, autoritetet në Riad kishin deklaruar se gazetari ishte larguar nga konsullata i palënduar. Por, më pas sauditët pranuan se Khashoggi ishte vrarë. Por, megjithatë trupi i tij ende nuk është gjetur.

Arabia Saudite ka arrestuar 18 të dyshuar, të cilët thonë se do t’i ndjekin penalisht. Turqia dëshiron t'i ekstradojë ata.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG