Drejtori i Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Policisë së Serbisë, Millan Dimitrijeviq, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë Interpol do të ishte precedent politik dhe ligjor dhe do të paraqiste, siç u shpreh ai, rrezik real të ngritjes së aktakuzave të paligjshme kundër serbëve.
"Rruga e abuzimit me siguri se do të shkonte drejt ngritjes së akuzave të paligjshme kundër serbëve që kanë jetuar në Kosovë", tha Dimitrijeviq për mediat serbe.
Ai tha se me hyrjen e Kosovës në Interpol "do të krijohej precdent politik dhe dhunë ligjore" sepse asnjë shtet, sipas tij, nuk mund të bëhet anëtar nëse nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara ose vend vëzhgues, përveç rastit të Autoritetit Palestinez.
Çështja e pranimit të Kosovës në Interpol do të jetë në agjendën e kësaj organizate gjatë një takimi në Dubai, më 29 nëntor.
Zyrtarët kosovarë janë shprehur optimist për pranimin dhe kanë thënë se janë të gatshëm t'i marrin përsipër obligimet që kërkon Interpol-i.