Ndërlidhjet

Haradinaj: Do të gjejmë gjuhë të përbashkët për mbrojtjen e territorit dhe kufijve


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur optimist se në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita në Kuvendin e Kosovës ditën e mërkurë, ku pritet të diskutohet dialogu me Serbinë, grupet parlamentare në pushtet dhe opozitë do të gjejnë gjuhë të përbashkët, për siç tha ai, “mbrojtjen e territorit, kufijve dhe kushtetutshmërisë”.

“Unë besoj se nesër (e mërkurë) do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Nuk besoj se ka një subjekt politik në Parlament që është kundër ruajtjes së territorit, të kufijve, të kushtetutshmërisë së vendit tonë. Besoj dhe shpresoj që do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Është inkurajues fakti që në këtë seancë të thirrur nga opozita do të marrë pjesë edhe pozita dhe mendoj se ky është një lajm i mirë”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Të mërkurën pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga 42 deputetë nënshkrues, ku do të kërkohet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të mos flasë në dialogun me Serbinë në Bruksel, për territorin e Kosovës.

Partitë shpresojnë që pas debatit parlamentar, të mund të miratojnë një rezolutë, e cila do t’ia ndalonte Thaçit shpalosjen e idesë së tij, siç e quan ai, “të korrigjimit të kufirit” dhe që sipas presidentit nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se spektri politik duket se ka reflektuar pas vizitës së Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Matthew Palmer në Kosovë, andaj sipas tij, ky hap duhet të konkretizohet me mbrojtjen e territorit.

“Kjo vizita e fundit e zotit Palmer dhe shumë takime që kanë ndodhur, kanë bërë që të ketë një reflektim pozitiv të spektrit politik. Mendoj që është mirë ta kurorëzojmë atë vizitë, atë kujdes të Amerikës për proceset e rëndësishme në vendin tonë me një pozicion të qartë strategjik që të mbrohen kushtetutshmëria, territorit dhe kufijve. S’ka rëndësi se kush më shumë ka kontribuar në atë rezolutë, e rëndësishme është të ruhen interesat nacionale dhe unë besoj që edhe Aleanca edhe Nisma, PDK-ja dhe partitë politike, nuk e kanë problem që të mbrojnë territorin”, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Haradinaj madje e ka krahasur seancën e së mërkurës me seancën për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke thënë se beson se është e po të njëjtit karakter “edhe mbrojtja e territorit, kufijtë dhe Kushtetutën”.

“Duhet të dimë të bashkohemi”, ka thënë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG