Ndërlidhjet

Mustafa: LDK-ja nuk bëhet pjesë e “unifikimit” pa besim reciprok


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e refuzoi ftesën e udhëheqësit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që të bëhet pjesë e “unifikimit” të spektrit politik, sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Mustafa tha se nuk i takon Veselit që të unifikojë spektrin politik.

“Unë konsideroj se ai (Kadri Veseli) më së pari nuk është strumbullari i këtyre çështjeve, sepse ai është vetëm spiker, është vetëm drejtues i seancave të Kuvendit dhe kryetar i një partie politike. Unë mendoj se ai duhet t’i përmbahet atij autoriteti që ka. Ai nuk e ka kompetencën e unifikimit. Kjo i bie një institucioni tjetër, i cili duhet ta bëjë këtë punë, por i cili s’e ka bërë sepse e ka filluar keq procesin", tha Mustafa.

"Nuk do të ketë konsensus. Në asnjë rast, për konsensus nuk mund të flitet. Ne jemi duke u angazhuar për një pajtueshmëri të gjerë lidhur me një platformë për dialogun, por nuk mund të ketë pajtueshmëri nëse dikush me çdo kusht dëshiron ta mbajë karrigen e vet dhe pushtetin dhe akuzon opozitën pse nuk po bëhet pjesë e proceseve, të cilat ata nuk mund t’i çojnë përpara”, tha Mustafa.

Mustafa tha se gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Matthew Palmer, i është kërkuar që LDK-ja të bëhet pjesë e dialogut, por lideri i LDK-së tha se “nuk do të bëhen bisht” i PDK-së apo partive që, sipas tij, kanë abuzuar bashkëpunimin me LDK-në

“Ne nuk mund të hyjmë pa parime (në procesin e dialogut) dhe pa besim reciprok. Zoti Palmer ka kërkuar që ne të gjithë ta japim kontributin tonë në këtë proces. Unë konsideroj se kontributi në këtë proces duhet të jetë i vlefshëm dhe për të mirën e Kosovës, në qoftë se ne së pari i përcaktojmë synimet tona dhe çka duam ne nga ky proces", tha Mustafa.

LDK-ja, sipas Mustafës, dëshiron që procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ta udhëheqë një qeveri e shumicës.

Sipas Mustafës, qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk e ka legjitimitetin e duhur.

Siç tha ai, as presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës që të udhëheqë me këtë proces.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG