Ndërlidhjet

Facebook fshin llogaritë e lidhura me Iranin


Ilustrim
Ilustrim

Kompania Facebook ka thënë se ka fshirë llogaritë me origjinë nga Irani që paraqisnin postime me ndasi politike, dhe mbi një milion ndjekës në Britani dhe Shtetet e Bashkuara.

Rrjeti social ka njoftuar se ka fshirë 82 llogari dhe faqe në Facebook dhe Instagram të cilat ka thënë se ishin “të rrejshme”. Në këto llogari postoheshin gjëra që kishin tematika ndarëse rreth racës, imigracionit dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sipas kompanisë, të gjitha këto postime kishin për qëllim që të “mbjellin mosmarrëveshje” përpara zgjedhjeve të Kongresit amerikan, që do të mbahen më 6 nëntor.

Llogaritë e fshira e paraqisnin veten si amerikanë ose britanikë dhe më së shumti synonin liberalët në SHBA, ka thënë Laboratori për Hulumtime të Forenzikës Dixhitale, një kompani që punon me Facebook-un për të studiuar propagandën në internet.

Facebook ka thënë se llogaritë e fshira kishin mbi një milion ndjekës. Kompania tha se zbuloi se këto llogari kishin aktivitete të koordinuara dhe veproi shpejt duke i fshirë ato, marrë parasysh se në SHBA do të mbahen zgjedhjet. Këto llogari kishin sponsorizuar artikuj me nga 100 dollarë si në Facebook dhe Instagram gjatë vitit të fundit.

“Duket se qëllimi ishte që të depërtonin shpejt në komunitetet shumë aktive, duke postuar përmbajtje inflamatore, duke futur mesazhe në Arabinë Saudite dhe Izrael, të cilat përforconin narrativin e Qeverisë iraniane”, ka thënë Ben Nimmo, nga Laboratori i Forenzikës Dixhitale.

Arabia Saudite dhe Izraeli janë dy shtete armike të Iranit. Edhe pse llogaritë e fshira kanë origjinën në Iran, Facebook ka thënë se ende është e paqartë nëse ato janë të lidhura me Qeverinë në Teheran.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG