Ndërlidhjet

Çka do të përfshijë amnistia eventuale?


Ilustrim
Ilustrim

Pas kërkesës së partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, për miratimin e një ligji gjithëpërfshirës për amnisti për të gjithë ata që janë involvuar në ngjarjet e dhunshme në Kuvend gjatë vitit të kaluar duke hedhur poshtë ofertën për pajtim kombëtar, pushteti përpiqet të shmangë formulimin ‘amnisti’, duke u fokusuar në ofertën siç e kanë quajtur pajtim kombëtar dhe falje .

Në Gjykatën e Shkupit në vijim është procesi gjyqësor ndaj 31 personave, pjesëmarrës në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, të cilët ngarkohen për veprën penale “rrezikim terrorist i rregullit kushtetues dhe sigurisë” në mesin e të cilëve janë dhe 5 deputetë të VMRO DPMNE-së, katër prej të cilëve votuan ndryshimet kushtetuese.

Deputetët e VMRO DPMNE-së që votuan ndryshimet kushtuese kanë hedhur poshtë pretendimet e Kryesisë së partisë së tyre se kanë shitur votën në këmbim të lirisë, përkatësisht lirimit nga akuza për ngjarjet e 27 prillit.

Edhe deputetë tjerë të VMRO DPMNE-së, që votuan pro ndryshimeve kushtetuese, për të cilët Prokuroria Speciale ka ngritur akuzë se kanë kryer vepra kriminale, thonë se vota pro nuk është aspak votë në këmbim të lirisë.

Ekspertët juridikë thonë se vetëm nëpërmjet ligjit të veçantë për amnisti, i cili do të duhej që të miratohej në Kuvend me shumicë të thjeshtë, do të mund të liroheshin nga burgu të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, në të kundërtën oferta për falje nga ana e kryeministrit Zaev nuk prodhon efekt juridik, sepse faljen mund ta bëjë vetëm presidentin i shtetit por pasi të sjellë vendim gjykata.

Në këtë drejtim, njohësit e çështjeve politike thonë se ligj për amnisti do të ketë, por çështja është se ai ligj çka do të përfshijë.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se opinioni pret që kjo Qeveri të dëshmojë në praktikë se është e vendosur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionimit të pavarur të institucioneve në saje të cilës fushatë arriti të sigurojë besimin e qytetarëve.

Arsovski konsideron se opinioni nuk do të mund ta gëlltisë kafshatën, e cila do të përmbajë amnisti të gjerë ku do të përfshihen edhe ata, për të cilët Prokuroria Speciale ka ngritur padi dhe akuzohen se kanë shpërdoruar mjetet e arkës së shtetit.

“Me shumë rëndësi është që amnistia eventuale në asnjë mënyrë të mos paraqesë ndërprerje të luftës së përgjithshme kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në vepra kriminale”, thotë Arsovski.

Pajtimi kombëtar, shton Arsovski, në formë të qartë duhet të bëjë një prerje mes atyre që ishin pjesë e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit dhe që meritojnë të falen dhe atyre që duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë, varësisht nga përgjegjësia dhe infiltrimi në ngjarjet e dhunshme në institucionin ligjvënës.

Nga ana tjetër, Mersim Maksuti, ligjërues në Universitetin e Tetovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse pushti siguron amnisti të përgjithshme ashtu siç kërkon VMRO DOMNE-ja, atëherë instalohet praktika e mosndëshkimit dhe një gjë e tillë, sipas tij, do të çekuilibrojë tërë sistemin gjyqësor.

“ Amnistia në formën siç e ka kërkuar lideri i opozitës, Hristian Mickoski, ka karakter juridik, i cili mund të vijë përmes një ligji për amnisti që do të miratohej nga Parlamenti".

"Sjellja e një ligji të amnistisë, përmes së cilit do të mund të përfitonin amnistinë shumë të dyshuar për krime, do të vendoste në një mënyrë në rrezik funksionimin e shtetit ligjor, aq më tepër në momentin kur ne si shtet bëjmë përpjekje për reformimin e Gjyqësorit dhe konsolidimin e shtetit ligjor”, thotë Mersim Maksuti, njohës i çështjeve juridike.

Maksuti thotë se në rast të amnistisë për ngjarjet e 27 prillit, do të kërkohet të përfshihen të gjithë ata që akuzohen për veprën e njëjtë, atë për terrorizëm dhe prishjen e rendit kushtetues.

Ndryshe, në Maqedoni që nga pavarësia e shtetit, më 1991, Parlamenti ka miratuar 5 herë me radhë Ligj për amnisti, ku bën pjesë dhe ligji për amnisti në vitin 2002 me të cilin u bë ndalimi i proceseve gjyqësore dhe lirimi i të burgosurve lidhur me konfliktin e vitit 2001, si dhe u ndaluan ndjekjet për rastet që kishin të bëjnë me konfliktin e armatosur.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG