Ndërlidhjet

Efektet e ofertës së Zaevit për falje mund të jenë edhe negative


Njohësit e çështjeve juridike thonë se ftesa e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev për “falje dhe pajtim” në asnjë mënyrë nuk duhet t'i hap rrugë amnistisë për ngjarjet e dhunshme që ndodhën në parlament më 27 prill të vitit të kaluar.

Naser Ziberi, njohës i çështjeve juridike, i cili njëherësh ka ushtruar për disa mandate edhe profesionin e deputetit, për Radion Evropën e Lirë thotë se oferta e kryeministrit të Maqedonisë për “falje dhe pajtim” nuk është e qartë, ose më saktë mund të kuptohet në dy mënyra.

“Ajo deklaratë e kryeministrit Zaev për të shtrirë dorën e pajtimit mes deputetëve mund të kuptohet edhe si gjest human njerëzor për krijimin e unitetit duke falur veprimet e personave që sulmuan parlamentin, dhe shkaktuan gjithë atë kaos në ngjarjet e 27 prillit".

"Por, kjo deklaratë mund të kuptohet edhe si thirrje drejtë opozitës për të sjellë një akt ligjorë me të cilin do ët liroheshin nga ndjekja e mëtutjeshme si dhe nga vuajtja e dënimit personat për të cilët është ngritur proces para organeve të drejtësisë. E të cilët akuzohen për cenimin e rendit kushtetues dhe terrorizëm”, thotë Ziberi.

Sipas tij, nëse kryeministri Zoran Zaev synon që përmes kësaj ofertë t`i hap rrugë amnistisë në funksion të sigurimit të dy të tretave të votave që janë të nevojshme për ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, atëherë kjo do t'i jap një grusht stabilititetit juridik i cili edhe ashtu është në fokus të kritikave nga faktori ndërkombëtar.

“Në qoftë se apeli i kryeministrit Zoran Zaev është në funksion të sigurimit të shumicës së nevojshme prej dy të tretat e votave që të miratohen ndryshimet kushtetuese duke e kompensuar këtë me ligj për amnisti, mendoj se kjo do të jetë shumë e dëmshme për proceset politike dhe sidomos për stabilitetin juridik, sepse një akt i këtillë mund të bëjë që qytetarët të ndërmarin veprime si ajo e 27 prillit, të hyjnë në parlament të cenojnë rendin kushtetues, të pengojnë organet në veprimin e tyre ligjore dhe legale dhe të kenë shpresë ose besim se do të amnistohen një ditë si rezultat i një vendimi politik që mund ta ndërmerr shumica parlamentare në bashkëpunim me opozitën”, thotë Ziberi.

Nga ana tjetër, Mirjana Najçeska, ish kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, njëherësh ligjëruese në Fakultetin Juridik për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia në asnjë mënyrë nuk guxon të amnistojë ata të cilët kanë shkelur ligjin, në rastin konkret kanë penguar veprimin e organit ligjdhënës sepse kjo do të thotë se Maqedonia si shtet do të mbetet e bllokuar në rrethin virtuoz të “marrëveshjeve mes politikanëve që në fund kanë për bazë mbrojtjen e kriminelëve.

“Jo, mjaft është me pajtime duhet të fillohet me preje të thella të cilat do t'i hapin rrugë funksionimit të shtetit ligjor, sundimit të drejtësisë dhe vlerave të mirëfillta në shoqërinë tonë”, thotë Najceska.

Ajo thotë se votat e siguruara nga VMRO DPMNE përmes amnistisë eventuale në asnjë mënyrë nuk do të kontribuojnë për të ardhmen e Maqedonisë aq më pak integrimet euroatlantike.

“Ata që shtetin e sjellin në një situatë të këtillë pa rrugëdalje, një herë e përgjithmonë duhet të kuptojnë se gjithmonë ka rrugëdalje, rruga e vetme që në fund u mbetet qytetarëve është që në pushtet të sjellin një garniturë e cila nuk do t'i vendos para aktit të kryer interesat e shtetit si dhe të ardhmen e qytetarëve”, thotë Najceska.

Ndërkohë, kryemnistri i Maqedonisë Zoran Zaev, të martën në kuadër të debatit për ndryshimet kushtetuese në foltoren e parlamentit ka theksuar se deklarata e tij e një dite më parë për “falje dhe pajtim” është keqkuptuar dhe se në asnjë mënyrë siç është shprehur “nuk e ka ndërmend të ndërhyjë në punën e gjyqësorit”.

Ofertën për pajtim mes deputetëve Zaev e ka cilësuar si mundësi për të çuar para proceset e integrimit në strukturat euroatlantike për vendin.

“Aspak nuk më shkon ndërmend të ndikojë në punën e institucioneve, kur kam thënë se duhet të pajtohemi mes veti, por për pajtim dhe falje kemi nevojë në mënyrë që të mund të vazhdojnë të jetojnë së bashku“, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Pas kësaj deputetët e partisë maqedonase në opozitë VMRO DPMNE-së e cila dje e hodhi poshtë ofertën e kryeministrit Zoran Zaev duke theksuar se kjo parti “kërkon drejtësi dhe jo amnisti”, në foltoren e parlamentit i kërkuan kryeministrit Zaev që të ulet të bisedojë me Hristian Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe jo çështjet të lihen në duart e deputetëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG