Ndërlidhjet

Pjesëtarët e komunitetit LGBT shfaqin shqetësime për sigurinë e tyre


Pjesëmarrësit në Paradën e Krenarisë të organizuar në Prishtinë, valvisin flamujt e ylberit
Pjesëmarrësit në Paradën e Krenarisë të organizuar në Prishtinë, valvisin flamujt e ylberit

Pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), thonë se po ndihen të diskriminuar dhe të kërcënuar në vazhdimësi.

Një hulumtim i bërë nga Instituti Kombëtar Demokratik (IKD), ka rezultuar se vetëm 3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta pranonin fëmijën si anëtar të komunitetit LGBT, derisa 97 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk do t’i lejonin të jetojnë në shtëpi anëtarët e këtij komuniteti.

Diskriminimi i pjesëtarëve të këtij komuniteti fillon nga familja, e duke vazhduar në shoqëri dhe rrethi më i gjerë, thonë vetë pjesëtarët e këtij komuniteti.

Blert Morina, i takon komunitetit transgjinor. Ai duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se kërcënimet e vazhdueshme që i merr ky komunitet, kanë ndikuar që shumë prej tyre ta lëshojnë Kosovës, për të kërkuar një vend më të përshtatshëm për jetë.

Ai thotë se ndonëse disa raste të kërcënimeve, por edhe të dhunës fizike, lajmërohen në Policinë e Kosovës, këto raste nuk procedohen në gjykata.

“Është vërejtur që për shkak të kërcënimeve të shumta nuk po ndihen të sigurt në Kosovë dhe në tri vjetët e fundit ka pasur shumë persona të komunitetit që kanë ikur jashtë Kosovës. Nuk kemi shifra të sakta, por për një komunitet të vogël që jemi vërehen shumë mungesa. Kemi edhe aktivistë që kanë qenë shumë të zëshëm, por për shkak të kërcënimeve janë larguar nga vendi”, tha Morina.

“Në polici janë të raportuara 40 raste, por nuk janë reale pasi kemi shumë më shumë në organizata, pasi që hezitojnë të shkojnë për të raportuar lajmin, për shkak se asnjë rast nuk shkon në gjykatë. Pastaj, konfidencialiteti është shumë i rëndësishëm, pasi shumica nuk e deklarojnë orientimin e tyre seksual”, thekson Morina.

Rina Halimi, avokate, shpjegon arsyet e mosprocedimit në gjykatë të këtyre rasteve. Ajo thotë se Policia e Kosovës sulmet fizike i merr si raste të rëndomta, duke mos e hulumtuar motivin, e që në raste të tilla motivi është urrejtja dhe diskriminimi.

“Organet e shtetit nuk janë duke bërë sa duhet për t’i adresuar ankesat që i jep komuniteti LGBT. Edhe në qoftë se i adresojnë i marrin si vepra penale të thjeshta, sulme fizik në rrugë, por mendoj se motivi është shumë i rëndësishëm në këto raste. Në qoftë se nuk përfshihet motivi si i tillë, e që është urrejtja apo paragjykimi i atij komuniteti, atëherë si institucion nuk je duke i adresuar të drejtat e një komuniteti si LGBT”, thotë Halimi.

Ajo thotë se rastet dallojnë, duke sqaruar se nuk mund të konsiderohet njësor rasti kur largohesh nga puna për motive të ndryshme, sikurse në rastin kur largohesh vetëm pse pretendon se i takon komunitetit LGBT.

“Gjykatat në fakt në këto raste ishte dashur t’i marrin parasysh jo vetëm ligjin e punës, por edhe atë të diskriminimit. Këto të dhëna i ka prezantuar edhe Avokati i Popullit, ku janë shkelur të drejtat e këtij komuniteti”, tha Halimi.

Në Kosovë janë tri organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT. Ato kanë ngritur kapacitetet e veta që t’u ofrojnë ndihmë ligjore në rast të shkeljes së të drejtave pjesëtarëve të këtij komuniteti. Organizatat ofrojnë ndihmë ligjore, pra avokat falas, por edhe ndihmë psiko-sociale.

Në anën tjetër Liridon Veliu, i cili i takon komuniteti LGBT dhe ka orientim homoseksual, tregon për frikën që tashmë e ka tejkaluar, ndonëse me shumë vështirësi, për të shpërfaqur atë se kush është ai në të vërtetë.

“Hiç nuk e di se si ka lind frika tek unë. Ndoshta pse shoqëria në shkollë fillimisht kanë filluar të më ofendojnë me fjalë, dhe kjo ka bërë që unë të mbyllem në vete dhe mos të flas për orientimin tim seksual”, tha Veliu.

“Rreth moshës 16-vjeçare, gjatë adoleshencës kam filluar ta pranoj veten si pjesëtar i komuniteti LGBT, dhe më pas iu kom treguar motrave dhe një shoku. Unë kam jetuar në Skenderaj atë kohë. Më pas kam ardhur në Prishtinë dhe këtu ka qenë pak më ndryshe, pasi është qyteti më i madh dhe nuk njihemi mes vete të gjithë, ashtu sikur në Skenderaj. Më është dukur më lehtë me qenë vetvetja”, tha Veliu.

Të mërkurën, më 10 tetor, është paralajmëruar se do të mbahet Parada e Krenarisë në Prishtinë. Kjo do të jetë hera e dytë që mbahet një paradë e tillë në Kosovë.

Për herë të parë, është mbajtur kjo paradë vitin e kaluar ku të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë mbështetësit e komunitetit LGBT, aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës.

*Video: Parada e parë e Krenarisë e mbajtur në Prishtinë.

Mbahet Parada e parë e Krenarisë në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Edhe këtë vit u është bërë thirrje politikanëve e shoqërisë civile të marrin pjesë në këtë paradë në përkrahje të të drejtave të këtij komuniteti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG