Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk është në preferencën e Qeverisë Shqiptare investimi në Telekom Albania nga ana e Kompanisë serbe të Telekomit.
“Qëndrimi i Qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe i qartë: bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, ka thënë Rama në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Telekomi i Serbisë kishte shfaqur interesimin për blerjen e Telekom Albania, të cilën e ka nxjerrë në shitje Deutche Telekom.
Kryeministri Rama tha se Qeveria Shqiptare nuk është pjesë e transaksionit që do të kryejë një kompani private si Deutche Telekom, e cila, sipas tij, ka një strategji që të tërhiqet nga tregjet e vogla.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se do të bisedojë për këtë çështje me kryeministrin shqiptar Rama gjatë ditës së sotme.