Ekipi i FBI-së që është duke hetuar rreth pretendimeve për sjellje të keqe seksuale kundër të nominuarit për Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, ende nuk ka intervistuar akuzuesen kryesore, kanë njoftuar avokatët e saj.
Duke i shkruar FBI-së, avokatët e profesoreshës, Christine Blasey Ford kanë thënë se është e “paimagjinueshme” që agjencia të kryjë hetime në këtë çështje, pa e intervistuar atë.
Ford ka dëshmuar para Komitetit Gjyqësor të Senatit javën e kaluar duke thënë se Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht sa kanë qenë të rinj.
Gjyqatari Kavanaugh në anën tjetër mohon të gjitha akuzat kundër tij.
Shqetësimet e avokatëve janë rritur pas raportimeve se FBI-ja mund të përfundojë hetimet para afatit të përcaktuar, përkatësisht ditës së premte.
Duke cituar ndihmës republikanë Wall Street Journal ka raportuar se agjencia mund të përfundojë hetimet “të martën apo në orët e para të së mërkurës”.
FBI po ashtu ende nuk e ka intervistuar Mark Judge, shok të gjyqtarit Kavanaugh, për të cilin profesoresha Ford ka thënë se ka qenë në dhomë kur ajo është sulmuar.
Judge ka thënë se nuk kujton diçka të tillë, mirëpo nuk është ftuar për dëshmi.
Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur mbështetjen e tij për Kavanaugh të martën, duke thënë se beson që Senati do ta miratojë nominimin e tij.
Duke foluar para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ai ka thënë se “në gjithë jetën time kam dëgjuar se jeni i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia, mirëpo tani jeni fajtor derisa të vërtetohet pafajësia. Standard shumë, shumë i vështirë”.