Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që të përmbush të gjitha obligimet e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend duke kontribuar edhe për stabilitetin në rajon.
Këto deklarime, Haradinaj i bëri në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, gjatë një takimi në Këshillin Atlantik, në Uashington, ku është pritur nga zëvendëspresidenti i këtij këshilli, Damon M. Wilson.
“Kosova ka ndërtuar institucione kredibile të cilat tashmë janë të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre për sigurimin e paqes në rajon dhe botë. Në këtë drejtim, anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë është hap i duhur për të kontribuar më shumë në këtë drejtim”, tha Haradinaj.
Në njoftimin për media, thuhet se Haradinaj ka theksuar progresin e Kosovës në transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe ka përmendur prioritetet e Qeverisë, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në vend.
Ai, sipas njoftimit, ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për ta përmbyllur me sukses fazën finale të dialogut me Serbinë, që garanton paqe të qëndrueshme.